Ja kush i fiton zgjedhjet në Shqipëri sipas sondazheve të fundit

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama rezulton fituese në sondazhet e realizuara javët e fundit nga strukturat e kësaj partie. Sondazhet janë kryer në terren si dhe përmes komunikimit me thirrje telefonike, por edhe përmes rrjeteve sociale, nga një numër i madh vullnetarësh pranë zyrës së komunikimit të qeverisë dhe asaj të PS, raporton noa.al duke cituar burime nga kjo parti.

Sipas sondazheve, Partia Socialiste vazhdon të ruajë avantazhin kundrejt dy forcave të tjera më të mëdha, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Burimet refuzuan të japin shifra të plota nga të dhënat e përftuara, por pranuan se avantazhi i PS është i mjaftueshëm për të krijuar një qeveri të tretë të majtë dhe të dytën me vetëm këtë parti pas zgjedhjeve të 2017.

Në sondazhet e mësipërme, qytetarët janë përgjigjur se kë do të votonin sot, nëse zgjedhjet e planifikuara për majin e ardhshëm, do të zhvilloheshin në Shqipëri për parlamentin e ri.

Ajo që pranohet nga burimet brenda PS, është se për të pasur sërish mazhorancën, kjo parti duhet doemos të dalë e vetme në zgjedhje, por nga ana tjetër rrezikon shumë të humbasë, nëse opozita del e bashkuar në koalicion.

Socialistët janë duke bërë kalkulime të ethshme për të kuptuar nëse dalja në zgjedhje me koalicion përballë, do ti mundësonte 71 vende në Parlamentin me 140 deputetë. Sondazhet e tyre tregojnë se në rastin më të mirë, pra pa koalicion përballë, PS fiton numrin e mjaftueshëm për të qeverisur. Por nëse përballen me koalicion, PS pranon se e ka të vështirë të sigurojë më shumë se gjysmën e vendeve në Kuvend.

Sipas shpjegimeve që japin në PS për arsyet pse kjo parti përkrahet ende edhe për një mandat të tretë 4 vjeçar, motivet kryesore janë mbështetja tradicionale e më shumë se gjysmës së popullsisë ndaj të majtës së kryesuar nga PS, bindja e ulët që kanë për opozitën aktuale, si dhe vlerësimet për punën e bërë këto shtatë vite nga qeveritë e Ramës.

Arsyet e rënies në sondazhe me 71 mandate përballë 78 që fitoi më 2017, shpjegohen në PS me rënien e zakonshme që pësojnë mazhorancat në Shqipëri pas mandatit të dytë, si dhe me gjendjen ekonomike të shumë familjeve të pakënaqura. /noa.al/