Ja Çfarë taksash do të paguajnë bizneset shqiptare në vitet 2020-2021

Bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë këstet e parapagimit të tatimit mbi fitimin për vitin 2020. Kurse bizneset e vogla nuk do të paguajnë këstet e parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2020. Këto janë masa speciale për të ulur ndikimin e krizës së pandemisë te bizneset në Shqipëri.

Pohimet i bëri Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila ka deklaruar se “ulja e barrës fiskale vazhdon dhe masat e marra nga qeveria Shqiptare kanë ndihmuar më shumë se 147 mijë biznese të vogla dhe të mëdha”.

Ministrja informoi edhe se “nuk do të parapaguajnë këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore prill-dhjetor 2020 bizneset e turizmit, fasonët dhe call center”.

Sakaq shtyhet në prill-shtator 2021, pagesa e kësteve të tatimit mbi fitimin për biznesin e madh me xhiro mbi 14 milionë lekë përjashtuar bankat, telekomunikacionin, firmat farmaceutike, ushqimoret e fruta perimet.

Duke qenë se kriza ka pllakosur vendin dhe efektet pritet të zgjasin, qeveria vendosi që të gjitha bizneset deri 14 milionë lekë të mos paguajnë asnjë qindarkë tatim mbi fitimin. Po ashtu, të gjitha bizneset me xhiro mbi 10 milionë lekë përjashtohen nga regjimi i TVSH-së.

Në këtë mënyrë, bizneset me xhiro deri 14 milionë lekë do të duhet nga ky vit dhe deri më 2029, të paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për administratorin dhe të punësuarit, si dhe taksat paradoksalisht të rënda lokale, sidomos në Tiranë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj është duke aplikuar tarifa vjetore shumë të larta në kundërshtim me vendimet që ka marrë qeveria për bizneset e vogla, pra ato me xhiro 0 deri në 14 milionë lekë.