Italia tampon falas për të gjithë shqiptarët, ja 4 vendet që iu kufizohet lëvizja

Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton se qeveria italiane ka vendosur që të gjithë shqiptarët, të cilët do të udhëtojnë drejt Italisë do iu bëhet tamponi falas në aeroporte nga autoritetet italiane.

Ndërkohë, të gjithë qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë duhet të bëjnë testin e koronavirusit, nëse do të udhëtojnë drejt Italisë.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga vendimet e vendeve të ndryshme lidhur me kufizimet në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, njofton se sipas Dekretit të fundit, datë 12 gusht 2020, të shtetit italian lidhur me hyrjen në territorin e Italisë, nevojitet paraqitja e testit me rezultat negativ për Covid-19 për qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë, link:

http://www.salute.gov.it/portale/homeMobile.jsp.

Momentalisht, për qytetarët të cilët nuk e kanë detyrim sipas Dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa që këtyre pasagjerëve t’u kryhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre. Kjo masë është marrë për shtetet që nuk janë të përfshirë në Dekret, me qëllim mospërhapjen e virusit Covid-19 në Itali.

Sikurse ndodhi edhe me udhëtarët që mbërritën në aeroportin e Perugia-s me fluturimin e sotëm nga Shqipëria, ora 14:00, ekipet mjekesore italiane të vendosura në aeroport u kryen pasagjerëve tamponin falas, si dhe procedurat e tjera përfshirë deklarimin e të dhënave personale në një formular të posaçëm. Përgjigja e tamponit do të dërgohet pas 48 orësh. Gjatë kësaj periudhe të gjithë qytetarët janë të detyruar të kryejnë karantinimin/izolimin në banesën e tyre në pritje të rezultatit.

Me qëllim parandalimin e situatave problematike në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ju fton që të ndiqni informacion të përditësuar mbi lëvizjen jashtë vendit. Klikoni në web-in zyrtar: https://bit.ly/2E2s3MZ , si dhe shfletoni rubrikën COVID -19. Në këtë hapësirë, mund të aksesoni informacionin për shtetin ku doni të lëvizni, kriteret përkatëse dhe procedurat e ligjshme që duhen plotësuar nga ana juaj, për të realizuar kalimin në shtetin tjetër.

Lutemi në mirëkuptimin e çdo qytetari, që udhëtimet të ndërmerren vetëm për arsye madhore dhe të shmangen udhëtimet që nuk janë të domosdoshme.