Ish-ministrja e LSI-së paralajmëron surpriza në zgjedhje

Teksa foli për programin e opozitës, ish-ministrja e LSI-së Klajda Gjosha theksoi se më 25 prill do të kemi një tablo ndryshe dhe shumë surpriza, për faktin se, sipas saj, ka shumë të rinj që i bashkohen LSI.

“Ne kemi qenë edhe më parë në këtë presion, nuk na tremb dhe as na sfidon kjo pjesë. Historia ka treguar se edhe pse ndryshimet taktike, të bëra në momentet e fundit, vetëm për të zhdukur LSI, nuk kanë funksionuar, përkundrazi e kanë bërë atë më të fortë. LSI beson në alternativën e saj, vlerat dhe forcën që ne kemi. Këto do të jenë zgjedhjet, ku më 25 prill do të kemi një tablo ndryshe. Do të kemi surpriza, për faktin se sa shumë të rinj bashkohen me LSI. Është sfidë e madhe t’i bindësh qytetarët se vota sot është detyrë qytetare. Ne nuk jemi mësuar t’i vëmë përballë politikanët tanë dhe t’iu kërkojmë llogari. Llogaria kërkohet me votë. Qytetari ka një zë dhe e ka shumë të fortë. Dhe besoj se këtë radhë, ajo që duhet të arrijmë ne, është një lëvizje qytetare e rëndësishme. Ne punojmë pafund me zonën gri, sepse fituesit e zgjedhjeve këtë radhë do të jenë ata që do të bëjnë të besojnë qytetarët shqiptarë që nuk kanë votuar kurrë. Votat që janë të LSI, janë aty. Është një strukturë shumë solide”, tha ajo për News24.