Ilir Meta dekreton datën e zgjedhjeve, më 25 prill do të votohet për Parlamentin e ri, zbardhet dekreti i presidentit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar dje datën e zgjedhjeve parlamentare të 2021. Në dekretin e tij, kreu i shtetit ka zgjedhur dhe vendosur 25 prillin, si dita kur shqiptarët do të duhet t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e qeverisë së re që do drejtojë vendin për 4-vjeçarin e ardhshëm. “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin:

Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, Dekretoj: Neni 1- Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021. Neni 2- Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. Dekreti 11700. Tiranë, më 06.09.2020”, thuhet në dekretin që mban firmën e presidenti Ilir Meta. Pra, tani qytetarët shqiptarë dhe partitë politike e kanë të qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku të parët presin të shohin alternativat që do t’iu ofrojnë subjektet politike, ndërsa këto të fundit presin të nisin zyrtarisht fushatën zgjedhore edhe pse motorët i kanë ndezur prej disa ditësh.

Meta zgjedh 25 prillin si të mesme të përbashkët

Por këtë vendim për të dekretuar datën e zgjedhjeve parlamentare të 2021, presidenti Ilir Meta e ndërmori pas konsultimeve me krerët e partive politike të zhvilluara më 4 shtator në Presidencë. Për opozitën jashtë parlamentare data 18 prill ishte data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Sakaq mazhoranca ishte e gatshme të shkonte në zgjedhje në çdo datë që do të përcaktojë Presidenti i Republikës, me përjashtim të 2 majit, e cila përkon me festën e Pashkëve ortodokse, edhe pse kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kishte shfaqur dëshirën që zgjedhjet të mbaheshin në datën 9 maj. Ndërkohë e vetmja që kërkoi 2 majin si datë të zgjedhjeve ishte deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, e cila u shpreh se shqiptarët mund të festojnë dhe votojnë njëkohësisht. Mirëpo me sa duket, kreu i shtetit me vendosjen e 25 Prillit, ka gjetur një të “mesme të artë” që i kënaq të gjithë.