Humbi gjyqin, Taulant Balla dënohet nga Gjykata

Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste, dënohet nga Gjykata e Shkallës së parë Tiranë. Sekretari i përgjithshëm i partisë në pushtet, ka humbur përballjen ligjore me Shijak TV, pasi ishte paditur nga Drejtori i Informacionit Basir Çollaku. Deputeti socialist është dënuar me 2 milionë lekë, të paguajë dëm moral dhe njëherësh shpenzimet gjyqsore, duke bërë që të jetë në listën e personave të dënuar nga drejtësia. Palët janë ankuar në Gjykatën e Apelit.

Për Çollakun, ankimi ka të bëjë me pranimin e pjesshëm të padisë, në shkallën e parë dhe vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Një proces që zgjati dy vite e një ditë, nga 11 tetori 2018, kur është bërë denoncimi, deri me 12 tetor 2020, në marrjen e vendimit.

Pavarësisht kohës së gjatë, vendimi konfirmon të pavërtetat e politikanit, ndërkohë ne do të vijojmë të investigojmë shumë nga deklarimet e oficerit të policisë dhe jemi në një fazë të mbledhjes së provave, për t’i bërë më pas publike.

Paditësi, gazetari Basir Çollaku, ka kërkuar përgenjështrimin e deklarimeve të Ballës, të bëra në emisionin Opinion në 27 shtator 2018, si dhe dëmshpërblim jopasuror, por moral në masën 20 mijë euro. Gjykata ka pranuar pjesërisht padinë, duke argumentuar se, në këtë pranim janë të përfshirë të gjithë pretendimet e paditësit.

Balla në një padi të bërë në prokurori, në deklarimet e tij publike është shprehur se “…këta persona unë i kam paditur, pasi sipas informacioneve që unë kam, kanë inskenuar këtë lloj historie, në këmbim të 10 mijë eurove, për të përfshirë dhe emrin e kryetarit të Grupit Parlamentar.

Besoj dhe kam dyshime të qenësishme se, pjesë të deklarimeve të z.Nuhu, i ka shtypur z.Çollaku…” Kjo padi është pushuar nga prokuroria dhe me vendim gjykate, pretendimet e sekretarit socialist janë rrëzuar si të pavërteta dhe pabazuara në prova. /Shijaktv