Humbi betejën me COVID-19, mjekët i bëjnë homazhe kirurges

Ditën e sotme mjekët në Shkodër i kanë bërë homazh koleges së tyre, Zyliha Kraja që ditën e djeshme humbi jetën nga COVID-19.

Në një deklaratë për shtyp nga Spitali i Shkodrës, mjeku Shpëtim Ymeri tha se pavarësisht përpjekjeve të tyre për gati 1 muaj nuk arritën dot ta shpëtonin kirurgen, e cila për vite me radhë ka kontribuar në fushën e mjekësisë.

“Mendoja dhe besoj se do të shtrëngoja dorën siç bëja gjatë këtyre ditëve që ishe e shtruar në spital, të thosha ia hodhe mikja ime dhe të vazhdonim sërish punën. Jeta është e tillë. Ne nuk mundëm të shpëtonim pavarësisht përpjekjeve tona maksimale prej rreth një muaj. Është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët,”- tha mjeku Ymeri.

Zyliha Kraja u nda nga jeta ditën e premte në moshën 80-vjeçare pasi humbi “luftën” me koronavirusin. Përpara se të infektohej me COVID-19 gjendja e saj shëndetësore ishte e mire. Por ditët e fundit gjendja u përkeqësua.