Humb jetën papritur dekani dhe akademiku i njohur, Universiteti i Tiranës ndan lajm e zi

Ditën e djeshme ka humbur jetën papritur Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Artur Sula. Mësohet se Sula është ndarë nga jeta si pasojë e hemoragjisë cerebrale. Mbi këtë lajm të trishtë ka reaguar Universiteti i Tiranës.

Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë, Me hidhërim të thellë mësuam lajmin tonditës të ndarjes nga jeta të kolegut, mikut tonë të dashur, babait të dy fëmijëve, Prof.Dr. Artur Sula, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Prof.Dr. Artur Sula ka qenë pedagog i Departamentit të Gjuhës Italiane që prej vitit 1991. Ai ka kryer me devotshmëri funksione të ndryshme, si: Përgjegjës i Departamentit të Gjuhës Italiane, anëtar i Këshillit të Profesorëve, anëtar i Senatit Akademik, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe së fundi, anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës.

Prof.Dr. Artur Sula është dalluar gjithmonë për kontributin e lartë dhe energjinë e tij pozitive e të pashtershme për zhvillimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si edhe në vendimmarrjet e rëndësishme për Universitetin e Tiranës.

Prof.Dr. Artur Sula do t`i mungojë familjes, kolegëve, studentëve e miqëve të tij! Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, i përcjellim ngushëllimet më të thella. familjes dhe të gjithë të afërmve për këtë humbje të madhe e të parakohshme! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

Rektori Prof.Dr. Artan Hoxha