“Haxhi Lleshi do t’i dërgojë një notë proteste presidentit egjiptian për flotën sovjetike…”/ Porositë e Enverit pas pushtimit të Çekosllovakisë

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari i Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza për ngjarjet e zhvilluara në Çekosllavaki nga janari i vitit 1968 e deri në datën 21 gusht të atij viti, ku trupat sovjetike së bashkë me ato të katër vëndeve të tjera të Traktatit të Varshavës, (Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria dhe Bullgaria), kryen agresionin ushtarak, duke pushtuar Çekosllovakinë.

Të gjitha shënimet e panjohura të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste lidhur me ngjarjet në Çekosllovaki, nga qëndrimi i shteteve të tjera të Europës Lindore, pjesë të “Traktatit të Varshavës”, ndaj atij agresioni, akuzat ndaj Çausheskut, Josif Broz Titos, etj., komentet dhe akuzat ndaj SHBA-së, shkrimet e Enverit në gazetën “Zëri i Popullit” për të gjitha ato ngjarje, porosintë që ai i dha Haxhi Lleshit për homologun e tij bullgar, e deri tek intesifikimi i propagandës që bëri Tirana zyrtare me gjitha mjetet e informacionit, për të demaskuar agresionin ushtarak sovjetik ndaj Çekosllovakisë, gjë e cila u shtri deri në folklorin popullor.

Kështu nga ajo kohë, veç të tjerave mbahet mënd edhe kënga e grupit të burrave të Vranishtit të Vlorës, (një nga grupet më të njohura të Labërisë), ku mes të tjerash thuhej: “Sup më sup të na gjej dallga / na nuk bënemi si Praga”.

“Revizionistët sovjetikë, polakë, gjermanë, hungarezë dhe bullgarë, hynë nga të katër anët e kufijve të Çekosllovakisë dhe, për tërë natën, deri në mëngjes, pushtuan Pragën, kapën radion, rrethuan godinën e qeverisë, të Komitetit Qendror, të Parlamentit, të presidentit dhe nuk u dëgjua asnjë pushkë. Jo vetëm kaq, po krerët revizionistë çekosllovakë dhanë urdhër që ushtri e popull “të rrinë urtë dhe qetë”, sipas “traditës së karakterit të tyre”. Sa për ndihmën e Rumanisë, në bazë të traktatit, nuk është nevoja të zgjatemi:

Revizionistët rumunë e kanë bërë në brekë dhe shpejt do të qelbet dynjaja. Natyrisht jemi akoma në momentet e para dhe patjetër ngjarjet do të zhvillohen. Revizionistët sovjetikë bënë një akt të dëshpëruar, vdekjeprurës për ta. Ata u diskredituan nga të katër anët, edhe te miqtë e tyre revizionistë, pse shumica e tyre nuk janë dakord me këtë akt brutal me pasoja të rënda për ta. Por revizionistët sovjetikë këtë veprim të dëshpëruar nuk e bënë nga malli, por nga halli, u erdhi thika në grykë.

Sigurisht në gjirin e udhëheqjes revizioniste sovjetike, do të ketë ndryshime, do të ketë kurbanë. Kush janë ata? Do të shohim. Kush do të mbetet? Ushtarakët duhet të kenë gisht në këto ngjarje dhe ka mbisunduar pikëpamja e tyre. I tërë ky zhvillim do të acarojë gjendjen ndërkombëtare dhe ka mundësi që të alarmohet opinioni revizionisto-kapitalist. Do të thellohen kontradiktat, do të turbullohen ujërat në kënetën e qelbur të bashkekzistencës paqësore dhe aleanca ruso-amerikane në mos të çara, do të pësojë të gërvishtura serioze. Opinioni botëror, frika, dyshimet do të luajnë rolin e tyre.

Revizionistët nga janë e nga s’janë, do të bëhen fërtele me njëri-tjetrin, lesh e li, më keq se ç’janë bërë”. Kështu shkruante në mes të tjerash në ditarin e tij të datës 21 gusht 1968, udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha, lidhur me ngjarjen e ndodhur në mëngjezin e asaj dite, kur Bashkimit Sovjetik nën drejtimin e Leonid Brezhnjevit, së bashku me forcat ushtarake të katër vëndeve të tjera të “Traktatit të Varshavës”, (Gjermania Lindore, Polonia, Bullgaria dhe Hungaria), kreu agresionin ushtarak ndaj Çekosllavakisë, duke futur tanket deri në qendër të Pragës.

Kjo ngjarje, u konsiderua dhe ishte më e rënda në të gjithë Europën Lindore, pas asaj të ndodhur në Hungari në vitin 1956, ku po trupat sovjetike, ndërhynë për të shuar atë që ata e etiketuan si “Kundërrevolucioni hungarez”. Siç do të shohim edhe nga ditari i Enver Hoxhës, pushtimi i Çekosllovakisë nga trupat ruse dhe aleatët e saj të “Traktatit të Varshavës”, nuk mund të mos alarmonte edhe regjimin komunist të Shqipërisë, pasi Tirana zyrtare i trembej një “efekti domino”, siç kishte ndodhur jo rrallë në histori me ngjarje të tilla.

Por frika dhe paniku që përshiu Enver Hoxhën dhe të gjithë udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës në atë kohë, nga një pushtim i mundshëm i Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe vëndet e tjera të “Traktatit të Varshëvës”, duket se fare pak, apo aspak nuk ka zënë vënd në ditarin e Enverit?! Pasi në atë kohë regjimi komunist u vu në një alarm të madh, duke filluar që nga Ushtria që kaloi në “gatishëmri nr.1”, (si në gjëndje lufte), por u mobilizuan edhe forcat vullnetare e rezerviste, të cilat morrën pjesë në stërvitje të madha që filluan asokohe nga njësitë më të mëdha të ushtrisë shqiptare, siç ishin Korpuset.

Po kështu edhe popullsia civile të fshatrave dhe qyteteve, i’u nështrua alarmeve ajrore apo toksore (duke dhënë sinjal me sirena apo çanga), duke i futur ata në strehime nëntoksore (tunelet) që ndodheshin brenda, apo në periferi të qyteteve. Po kështu në atë kohë Tirana zyrtare intesifikoi edhe të gjitha mjetet e informacionit dhe propagandës masive, për të demaskuar agresionin ushtarak sovjetik ndaj Çekosllovakisë, gjë e cila u shtri deri në folklorin popullor. Kështu nga ajo kohë, veç të tjerave mbahet mënd edhe kënga e Grupit të burrave të Vranishtit të Vlorës, (një nga grupet më të njohura të Labërisë), ku mes të tjerash thuhej: “Sup më sup të na gjej dallga / na nuk bënemi si Praga”. Por të gjitha këto sa më sipër, ishin vetëm ana e dukshme dhe fare normale për një vënd si Shqipëria komuniste e asaj kohe, pasi në të njëjtën situatë u ndodhen dhe vepruan pak a shumë dhe vëndet fqinje, si Jugosllavia etj.

Ndërsa ajo që njihet pak, është frika që pushtoi Enver Hoxhën dhe regjimin komunist, nga një lëvizje që mund të ndodhte nga brenda vëndit. Kjo gjë vihet re dhe konfirmohet veç të tjerash edhe nga një numër i madh dokumentash arkivore, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku Ministria e Punëve të Brendëshme dhe Sigurimi i Shtetit, informojnë Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe udhëheqësit kryesor të saj, Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Ramiz Alinë, Mehmet Shehun etj., me raporte, relacione, informacione etj., ku tema kryesore është: “Mbi situatën dhe gjëndjen në vënd pas ngjarjeve të Çekosllovakisë”.

Në të gjitha ato dokumente që mbajën siglën “Tepër sekret”, i bëhet me ditur udhëheqjes së lartë, se: “njerzit dhe kryesisht elementi reaksionar, është gjallëruar pas ngjarjeve të Çekosllovakisë dhe….”. Kjo gjë bëri që Enver Hoxha dhe regjimi komunist nga njëra anë të “shtërngonte rradhët” dhe “të rriste vigjëlencën”, gjë e cila konsistoi në arrestime, burgosje e internime në masë në të gjitha rrethet e vëndit, dhe po kështu nga ana tjetër, “të lëshonte pak pe”, në atë që tashmë njihet si “periudha e liberalizmit”, e cila nuk ishte jetëgjatë dhe do të “lulëzonte” deri aty nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion dhe “Grupit liberal në Art e Kulturë”, me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.

Ditari i Enver Hoxhës për ngjarjet e pushtimit të Çekosllovaki nga Bashkimi Sovjetik

E MARTE

3 SHTATOR 1968

DO TE RISHIKOJMF, QENDRIMIN TONE NDAJ TRAKTATIT TE VARSHAVES

Sot bëmë mbledhjen e Byrosë Politike lidhur me qëndrimin që mendojmë të mbajmë ndaj Traktatit të Varshavës pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Çekosllovaki. Në mbledhje fola për qëllimet e mira fillestare të krijimit të Traktatit, për qëndrimet e padrejta, të paligjshme e diskriminuese që janë mbajtur nga anëtarët e tij revizionistë ndaj vendit tonë, për nevojën e denoncimit të tij pas sulmit ushtarak kundër pavarësisë së Çekosllovakisë, sulm i cili tregoi në mënyrë definitive se ai ka humbur karakterin mbrojtës për të cilin u krijua dhe se ka degjeneruar në armë në duart e revizionistëve sovjetikë dhe të qëllimeve të tyre komplotuese e agresive të rrezikshme.

Shokët e Byrosë u solidarizuan me analizën që bëra unë dhe aprovuan njëzëri propozimin për denoncimin e tij. Byroja vendosi që ky propozim, pasi të shqyrtohet e të aprovohet nga Këshilli i Ministrave, të aprovohet edhe nga Plenumi i Komitetit Qendror dhe të marrë forcë ligjore në Kuvendin Popullor. U vendos që Plenumi i K.Q. të mblidhet më 5 shtator, ndërsa Kuvendi Popullor, pas largimit nga vendi ynë të delegacionit parlamentar turk, domethënë, më 12 shtator 1968.

E ENJTE

5 SHTATOR 1968

PLENUMI I KQ TË PARTISE SHQYRTON QENDRIMIN E VENDIT TONE NDAJ TRAKTATIT TE VARSHAVES

Sot u mblodh Plenumi i 5-të i K.Q. lidhur me qëndrimin që do të mbajë vendi ynë ndaj Traktatit të Varshavës. Mbajta raportin mbi gjendjen aktuale ndërkombëtare dhe veçanërisht për ngjarjet në Çekosllovaki. Në Plenum u mbajt pastaj raporti mbi qëndrimin e RP të Shqipërisë ndaj Traktatit të Varshavës. Pas diskutimeve, Plenumi aprovoi njëzëri raportet që u mbajtën si dhe propozimin e Byrosë Pohtike dhe të Këshillit të Ministrave për denoncimin e Traktatit të Varshavës. Plenumi i rekomandoi Presidiumit të Kuvendit Popullor të thërresë sesionin e Kuvendit për të aprovuar projektligjin për denoncimin e Traktatit të Varshavës.

E ENJTE

12 SHTATOR 1968

KUVENDI POPULLOR DISKUTON QENDRIMIN E VENDIT TONË NDAJ TRAKTATIT TE VARSHAVËS

Sot pasdite u hap sesioni i Kuvendit Popullor në të cilin u paraqit nga Këshilli i Ministrave raporti “Mbi qëndrimin e Republikës Popullore të Shqipërisë ndaj Traktatit të Varshavës”, ku (siç vendosi Plenumi i Komitetit Qendror) Këshilli i Ministrave i propozoi Kuvendit Popullor të diskutonte denoncimin e Traktatit të Varshavës dhe daljen e Republikës Popullore të Shqipërisë nga ky Traktat. Raporti u dëgjua me vëmendje të madhe dhe u ndërpre shpesh me duartrokitje, e me aprovim për vijën marksiste-leniniste të Partisë sonë. Diskutimet fillojnë nesër.

E PREMTE

13 SHTATOR 1968

KUVENDI POPULLOR APROVOI PROJEKTLIGJIN PER DENONCIMIN E TRAKTATIT TE VARSHAVES

Sot në Kuvendin Popullor deputetët diskutuan rreth raportit që u paraqit dje “Mbi qëndrimin e RPSH ndaj Traktatit të Varshavës” dhe mbështetën propozimin për denoncimin e këtij. Në fund Kuvendi aprovoi njëzëri projektligjin e paraqitur për denoncimin nga Republika Popullore e Shqipërisë të Traktatit të Varshavës. Denoncimi i këtij Traktati dhe largimi i vendit tonë prej tij, janë një masë me rëndësi shumë të madhe dhe kanë të bëjnë, në radhë të parë, me mbrojtjen e pavarësisë së atdheut tonë.

E DIEL

15 SHTATOR 1968

DY GRUSHTE TE TJERA POLITIKE DEMASKUESE PER REVIZIONISTET SOVJETIKE

Përveç denoncimit të Traktatit agresiv të Varshavës ne duhet t’u përgatitim dhe dy grushte të tjera të rënda demaskuese politike revizionistëve agresorë sovjetikë.

1) Duke marrë shkas nga ekzistenca e Traktatit të Miqësisë të vitit 1947 në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Bullgarisë, ne t’i drejtojmë një notë të hapët qeveritare qeverisë bullgare, ku t’i kërkojmë në bazë të neneve dhe të frymës së këtij traktati, të japë menjëherë urdhër që të terhigen nga territori bullgar forcat agresive ushtarake sovjetike. T’i themi qeverisë bullgare, se këto forca nuk kanë karakter mbrojtës por agresiv, janë kundër paqes, kundër lirisë, kundër pavarësisë dhe sovranitetit të popujve të Ballkanit.

T’i themi qeverisë bullgare se ka lejuar që territori i saj të transformohet në një plasdarm agresiv dhe se mban një përgjegjësi të rëndë, në rast se nuk merr masat për zhdukjen e kësaj vatre agresioni dhe tensioni. T’i themi se Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë do të dënojë rreptësisht çdo agresion që mund t’u bëhet popujve të Ballkanit etj.

2) Duke marrë shkas nga bazat që i janë dhënë Flotës Sovjetike në portet egjiptiane, t’i dërgohet një letër presidentit Naser nga Haxhi Lleshi, ku të demaskohet agresiviteti i kësaj flote njësoj si ai i Flotës së VI-të Amerikane, dhe të kërkojmë, me terma miqësorë, që për hir të miqësisë së popujve tanë, arabë e shqiptarë, të pengohet veprimi agresiv i Flotës Sovjetike dhe të mos lejohet në asnjë mënyrë që vendi mik i RAB-it të bëhet bazë nisjeje e një agresioni eventual kundër bregdetit shqiptar.

E HENE

16 SHTATOR 1968

ME DENONCIMIN E TRAKTATIT TE VARSHAVES NE KRYEM NJE DETYRE TE LARTE KOMBETARE E NDERKOMBETARE

Përgatita dhe i’u dërgua redaksisë së gazetës “Zëri i popullit” për ta botuar nesër artikullin me titull “Me denoncimin e Traktatit të Varshavës ne kryem një detyrë të lartë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

E MARTË

22 TETOR 1968

AKT QE LEGALIZON KTHIMIN E ÇEKOSLLOVAKISE NE NJE KOLONI TE REVIZIONISTEVE SOVJETIKE

Këto ditë hyri në fuqi i ashtuquajturi Traktat Sovjeto-Çekosllovak, i cili në fakt legalizon robërimin e Çekosllovakisë nga trupat pushtuese sovjetike. Tani sovjetikët u shtruan këmbëkryq në Çekoslloyaki. Lidhur me këtë ngjarje, shkrova një artikull me titull: “Akt që legalizon kthimin e Çekosllovakisë në një koloni të revizionistëve sovjetik”. Do të botohet nesër në gazetën “Zëri i popullit”.

E PREMTE

8 NËNTOR 1968

LUFTE FRAKSIONISTE REVIZIONISTE NE GJIRIN E PK TË ÇEKOSLLOVAKISE

Po shkruaj paraprakisht skemën dhe shënime për një artikull për luftën fraksioniste revizioniste në gjirin e Partisë Komuniste Çekosllovake që ndodhet në darën e okupatorëve revizionistë sovjetikë.

Diktati i revizionistëve sovjetikë imponuar Republikës Socialiste Çekosllovake me anën e pushtimit ushtarak.
I gjithë vendi, ekonomia, politika e jashtme dhe e brendshme, ushtria çekosllovake, veprimet e qeverisë çekosllovake, tregtia e saj e jashtme dhe e brendshme dhe Partia Komuniste Çekosllovake në gjithë veprimtarinë e saj, janë nën kontrollin revizionist sovjetik.
Lufta brenda Partisë Komuniste Çekosllovake në mes revizionistëve çekosllovakë me A. Dubçektin në krye dhe krahut revizionist çekosllovak, vegla direkte të revizionistëve sovjetikë.
Aspektet e ndryshme të kësaj lufte nga ana e grupit revizionist të Dubçekut dhe nga ana e të ashtuquajturit grup të veteranëve, prorevizionistë sovjetikë.
Synimet e luftës fraksioniste.
Metodat dhe format përdorin këto grupe gjoja ilegale, presionet e okupatorit mbi njërin grup dhe mbështetja e fshehtë dhe e hapët e grupit tjetër.
Aspekte të luftës brenda në parti dhe jashtë saj. Si maskohen veprimet antimarksiste si të njërës palë, ashtu edhe të tjetrës. Ku mbështetet njëra dhe ku mbështetet tjetra dhe format e gënjeshtrat që përdorin edhe njëra edhe tjetra palë për të ruajtur pozitat në Partinë Komuniste Çekosllovake e në pushtet dhe për të fituar masat.
Si duhet ta organizojnë luftën e tyre marksistë-leninistët revolucionarë çekë dhe si duhet të hidhen ata në veprim, pa humbur kohë.
Pa organizimin e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë (marksiste-leniniste) nuk mund të ketë luftë në veprim, në këtë situatë edhe të komplikuar, edhe të përshtatshme.
Lufta kundër okupatorëve revizionistë sovjetikë, strumbullari, pse është moment nacional me rëndësi rreth të cilit mobilizohen masat e Çekosllovakisë.
Ky moment nacional gërshetohet me luftën politike dhe ideologjike kundër revizionizmit sovjetik dhe çekosllovak.
Ky moment nacional gërshetohet me luftën politike dhe ideologjike kundër imperializmit dhe borgjezisë e revizionistëve çekosllovakë.
Ky moment nacional gërshetohet me unitetin internacionalist të Partisë së Punës të Shqipërisë, Partisë Komuniste të Kinës dhe të gjitha partive komuniste e punëtore, marksiste-leniniste dhe me revolucionin botëror.
Ky moment nacional siguron formimin e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë (marksiste-leniniste), lejon luftën e saj ilegale dhe legale, organizimin e kësaj lufte kundër okupatorëve dhe veprimeve të tij dhe kundër të dyja rrymave revizioniste që po shqyhen brenda dhe iashtë Partisë Komuniste revizioniste të Çekosllovakisë.
Partia Komuniste e Çekosllovakisë (marksiste-leniniste) duhet të zhvillojë luftë të ashpër parimore për të demaskuar deri në fund veprimct konkrete dhe politikën e ideologjinë që zhvillojnë të dy këto grupe dhe okupatorët sovjetikë dhe në bazë të kësaj lufte të organizojë dhe të kalitë partinë, të sqarojë dhe të grumbullojë masat rreth tyre. Grupi i Dubçekut mbështetet në momentin nacional kundër pushtimit për të forcuar pozitat e tij tradhtare. Kjo i duhet hequr nga duart. Kjo do të jetë baza e madhe e fitores së parë të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë (marksiste-leniniste).
Partia Komuniste e Çekosllovakisë (marksiste-leniniste) duhet të ketë mbështetjen kryesore në klasën punëtore. Ajo duhet të luftojë gjallërisht për të fituar rininë, të fitojë medoemos pozita politike dhe ideologjike në ushtrinë aktuale çekosllovake (momenti i përshtatshëm nacional), por nuk duhet të ketë iluzion te kjo ushtri e borgjezuar. Rëndësia që ka puna revolucionare marksiste-leniniste në Çekosllovaki për vendet e tjera ku sundojnë revizionistët modernë sovjetikë nëpërmjet klikave tradhtare revizioniste. Në Çekosllovaki është krijuar momenti nacional që thamë, kurse gjetkë ai zien, por është në heshtje. Duhet, pra, edhe këtu të krijohet ky moment nacional dhe të zbulohen kontradiktat e mëdha antagoniste që ekzistojnë nën një mbulesë hiri. Ngritja revolucionare në Çekosllovaki do të lehtësojë dhe do të shpejtojë kontazhionini revolucionar në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera revizioniste, do të lehtësojë kontaktet dhe lidhjet me marksistë-leninistët revolucionarë të këtyre vendeve, do të ndihmojë të organizohen dhe të koordinohen veprimet, do të dobësojë në gjerësi e në thellësi kalanë e krimbur revizioniste.
E SHTUNE

16 NENTOR 1968

REVIZIONISTET MODERNE PERPIQEN TE NDALOJNE PERÇARJEN E TYRE

Ndërhyrja e armatosur e revizionistëve sovjetikë në Çekosllovaki, është një veprim i dëshpëruar për të penguar çarjen e mëtejshme të vendeve ku sundojnë revizionistët dhe, në përgjithësi, çarjen e mëtejshme në frontin ndërkombëtar revizionist. Agresioni në Çekosllovaki flet për dështimin e politikës hegjemoniste sovjetike mbi partnerët e tij të Traktatit të Varshavës dhe të KNER-it, pra, për dështimin e politikës dhe të ideologjisë së tyre antimarksiste. Siç e kam theksuar edhe herë të tjera, antimarksizmi i tyre përçan dhe nuk bashkon. Ai nuk do të bashkojë kurrë.

Liberalizimi i pushtetit, me fjalë të tjera, teoria e tyre revizioniste se diktatura e proletariatit u kapërcye, se në vendet e tyre nuk ekziston më lufta e klasave, se Bashkimi Sovjetik hyri në fazën e «ndërtimit të komunizmit», të gjitha këto së toku, u hapën rrugën degjenerimit të partive ish-komuniste dhe restaurimit të kapitalizmit në ish-vendet e tyre socialiste. Një orientim i tillë, antimarksist, zhduku ndjenjat e solidaritetit dhe të miqësisë në mes vendeve revizioniste dhe shoi solidaritetin internacionalist proletar.

Këndej rrjedhin mosmarrëveshjet politiko-ideologlike në nëndrimet e tyre, mosmarrëveshjet në çështjet ushtarake dhe përleshjet në lëmin ekonomik. Të gjitha lidhjet ekzistuese midis tyre, nuk mund të mos ndryshohen dhe të mos marrin rrugën e lidhjeve e të marrëdhënieve kapitaliste, të mos acarohen dhe të mos kthehen në lidhje e në marrëdhënie antagoniste të pazgjidhshme. Ky proces mund të pengohet veçse me imponimin e armëve, të forcës. Këtë gjë e vërtetoi agresioni ushtarak sovjetik në Çekosllovaki.

Por ky agresion nuk zgjidhi asgjë në drejtimin e “unitetit” midis vendeve revizioniste, përkundrazi e dobësoi atë dhe krijoi një acarim të mëtejshëm, bile këndej e tutje acarimi do të ketë si bazë goditjet midis tyre, pra, asgjë gjoja paqësore. Revizionistët sovjetikë do t’ua shtrëngojnë rripin vazhdimisht “aleatëve” të vet. Sovjetikët e gjykojnë rrezikshmërinë e momenteve nga ku kalojnë dhe për të ndaluar procesin e dezintegrimit, ndërhyrjet me armë, presionet dhe shantazhet përpiqen t’i kamuflojnë me gjoja një kthesë në normat e vjetra të vijës së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, pra, blofojnë.

Kështu ata kanë filluar të flasin për «unitetin marksist-leninist në parti, për centralizmin, për disiplinën marksiste-leniniste, për nevojën e vazhdueshme të diktaturës së proletariatit, për nevojën e luftës së klasave si në platformën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, e profka të tjera. Propaganda e tyre e vogël sa nuk thotë hapur se “po kthehemi në kohën e Stalinit”, vetëm që këtë nuk e përdorin dot, pse do të jetë një armë kundër tyre. E gjithë kjo manovër demagogjike përdoret për të frenuar dhe për të riparuar të çarat e mëdha. Sovjetikët e dinë se kjo nuk do të ketë sukses, dhe nuk ka as tash, prandaj përpiqen të ligjërojnë hegjemoninë e vet mbi satelitët e tyre, duke u përpjekur ta kthejnë në një “parim teorik marksist-leninist”, ndërhyrjen edhe me armë në një vend socialist kur shohin se gjoja rrezikohet socializmi, qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë.

Një vijë të tillë ka pasë edhe Musolini ndaj Ahmet Zogut të cilit, me anën e traktatit që kishte nënshkruar me të, gjoja i garantonte pozitën e tij si mbret, nga një kryengritje e brendshme, por më në fund e sulmoi vetë Shqipërinë, i’a ngriti këmbët Zogut dhe në vend të tij vuri mëkëmbësin e Viktor Emanuelit III, Jakomonin. Kështu edhe revizionistët sovjetikë në këtë vijë, rreth tyre kanë grumbulluar tre satelitë: Gomulkën, Ulbrihtin dhe Zhivkon.

Që të tre këta jo se e duan një gjendje të tillë marrëdhëniesh me Bashkimin Sovjetik, por janë të detyruar ta pranojnë për shkak të vetë pozitave të tyre të lëkundshme dhe kanë frikë për kokën e tyre se mos sovjetikët i zëvendësojnë një ditë me Viktor Emanuelë siç bëri Musolini me Zogun. Por edhe një nënshtrim i tillë s’ka asgjë të qëndrueshme, ai është koniunktural. Kurse në Çekosllovaki pushtimi ka krijuar një situatë shumë të vështirë për sovjetikët. Rumunët përpiqen t’i shpëtojnë darës, po ashtu edhe hungarezët, të cilët nuk tregohen aq entuziastë si polakët, gjermanolindorët dhe bullgarët për veprimet e sovjetikëve.

Pra, në vetë kampin revizionist, po të futim dhe Titon, ne do të shohim të vijëzohen qartë katër klane të ndryshme që luftojnë me forma dhe me intensitet të ndryshëm kundër njëri-tjetrit. Por veprimi i sovjetikëve në Çekosllovaki, i hodhi akoma më shumë benzinë përçaries së thellë që ekzistonte që më parë në klanin revizionist në shkallë ndërkombëtare. Partitë komuniste të Francës e të Italisë, për të mos folur për partitë e tjera revizioniste, janë vënë në kundërshtime më të hapëta dhe flagrante me sovjetikët, me polakët e të tjerë.

Kjo u ka nxjerrë shumë telashe dhe kokëçarje të gjithë revizionistëve. Këtë krizë, këtë përçarje të gjithanshme, revizionistët sovjetikë në fillim u përpoqën ta shpjegonin me luftën që u bënë Partia e Punës e Shqipërisë dhe Partia Komuniste e Kinës. Kjo është e vërtetë, por ata lënë në errësirë tradhtinë e tyre ndaj marksizëm-leninizmit. Pikërisht kjo tradhti u bë shkak i përçarjes dhe si pasojë objekt i luftës sonë të madhe. Sa më shumë kohë kalon dhe sa më shumë thellohet çarja, aq më tepër del në dukje tradhtia e revizionistëve.

Revizionistët modernë tash theksojnë se lufta jonë gjoja dobëson luftën kundër imperializmit amerikan. Ky, gjithashtu, është një blof nëpërmjet të cilit ata përpiqen më kot të fshehin aleancën e tyre me imperializmin amerikan dhe me borgjezinë reaksionare botërore. Edhe ky blof demaskohet çdo ditë e më shumë nga lufta jonë e vendosur si dhe nga përpjekjet e vazhdueshme të tyre për t’u lidhur me imperializmin dhe me borgjezinë. Prandaj asgjë, asnjë manovër, nuk do t’i shpëtojë revizionistët modernë nga katastrofa, ata nuk do ta ndalojnë dot as përçarjen, as shkatërrimin e tyre.

E HENE

18 NENTOR 1968

REPUBLIKA SOCIALISTE ÇEKOSLLOVAKE E MBERTHYER NE DAREN E PUSHTUESVE REVIZIONISTE SOVJETIKE

I’u dërgua gazetës «Zëri i popullit» artikulli për luftën fraksioniste në gjirin e Partisë Komuniste Çekosllovake dhe ndërlikimit të tyre me pushtuesit sovjetikë, skemën dhe tezat e të cilit i kisha shkruar që më parë. Artikulli do të botohet nesër, me titull: “Republika Socialiste Çekosllovake e mbërthyer në darën e pushtuesve revizionistë sovjetikë”. /Memorie.al