Hajdari akuza qeverisë për buxhetin, ja ku shkojnë lekët

Teksa ka folur nga Parlamenti, deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë lidhur me buxhetin. Sipas Hajdarit, ky buxhet favorizon oligarkët. Ajo tha se në buxhetin e vitit 2021 më shumë lekë u janë dhënë koncesionarëve sesa familjeve dhe bizneseve. “Dua që sot të flas për buxhetin, buxhet të cilin do e kalojmë sot. Kjo qeveri dhe PS pretendon se është me politika të majta, por le ta shohim pak se kujt ka vendosur që t’ia shpërndajë këto taksa. E dini sa është ndihma totale që iu shpërnda familjeve dhe bizneseve, 110 mln euro, e dini sa është fatura që të çojnë në llogaritë e koncesionarëve, 120 mln euro.

E dini që këto lekë që qeveria ia ka shpërndarë qytetarëve, ata i kanë përdorur për të mbijetuar, ndërsa koncesionarët i përdorin për t’i shtuar llogaritë e tyre offshore. Këto 120 mln euro do u shkon 12 vetave, pra gjatë 2020, ato që kanë marrë ndihmë ekonomike kanë marrë vetëm 2 mijë lekë të vjetra në ditë”, u shpreh ajo. Ndër të tjera, ajo deklaroi se qeveria ka mundësi ekonomike për shkak edhe të ndihmave që ka marrë nga BE dhe nga vendet e tjera. “Nuk është e vërtetë që kjo qeveri nuk ka pasur mundësinë ekonomike, se po të bësh një llogari të thjeshtë janë mbledhur mesatarisht 450 mln financime, vetëm BE na ka dhënë 50 mln euro plus 170 mln nga FMN, 180 mln prapë nga BE, vetëm për përballimin e situatës, kemi marrë ndihma nga SHBA e Zvicra, rreth 50 mln euro ishin të destinuara për shëndetësinë, dhe pjesa tjetër për të ndihmuar ekonominë”, tha Hajdari.

Ajo theksoi se nëse këto lekë do të kishin shkuar në ndihmë të qytetarëve sipas Hajdarit, vendi nuk do të ishte këtu ku është sot. “Janë çuar për t’i ndihmuar koncesioneve që qeveria sot i ka vënë si prioritet, nëse qeveria do i kishte përdorur këto 400 mln euro ne do ia kishim dalë. Sot jo vetëm duhet t’iu jepni qytetarëve një pagesë dinjitoze, por do kishim ndihmuar edhe bizneset, nuk janë shfrytëzuar as 30% e garancisë sovrane”, u shpreh Hajdari.