Furtunë në ambasadën shqiptare në Athinë, shkarkohet drejtuesja dhe stafi

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, shkarkoi sot ambasadoren shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdarin.

Media greke “Protothema”, shkruan se shkak për këtë vendim është bërë vjedhja e 100 pasaportave shqiptare vitin e kaluar në kryeqytetin grek.

Sipas medias greke, Hobdari është e përfshirë në ngjarjen e ndodhur më 13 shkurt të 2019, ku nga makina e konsullit të përgjithshëm të Janinës, Pervin Gjikuria, u vodhën 100 pasaporta nga 300 që ndodheshin brenda mjetit.

“Hobdari dhe Gjikuria janë të përfshirë në rastin e vjedhjes së 100 pasaportave nga një makinë e trupit diplomatik shqiptar që ishte në tokën Greke. Automjeti, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i përket Previn Gjikurias”, shkruan media greke.

“Në të njëjtën deklaratë thuhet se konsulli në fjalë kishte marrë përsipër detyrën e transferimit zyrtar të pasaportave në Athinë dhe dorëzimin e tyre në ambasadën shqiptare. Vjedhja ndodhi në 13 shkurt, natën vonë, në Thesio, ku u vandalizua automjeti i konsullit shqiptar“, thuhet në artikullin e “Protothema”.