Florian Marku: Premton të mbrojë titullin në Shqipëri

Boksieri Florian Marku, që pak ditë më parë u shpall kampion bote në kategorinë IBF International (mposhti në Londër ukrainasin Maxim Prodan), ka mbërritur në Shqipëri. Ai ka zhvilluar disa takime me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe asaj të Lushnjës, Eriselda Sefa.

Gjatë këtyre takimeve, boksieri shqiptar është shprehur krenar për suksesin dhe ka falënderuar të gjithë për mikpritjen e bërë dhe mbëshetjen e treguar. Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, Marku ka deklaruar se dëshiron të zhvillojë një duel në Tiranë, ku do të mbrojë titullin kampion bote.

Kjo gjë është konfirmuar edhe nga Erion Veliaj: “Nuk është sekret që do të organizojmë një ndeshje të jashtëzakonshme vitin tjetër në Tiranë, me shpresë që të kenë kaluar edhe kufizimet prej Covidit”, tha Veliaj.

Ndërsa Marku, u shpreh: “Mezi pres të rikthehem në Shqipëri, që të mbroj këtu titujt e mi, në një stadium gjigant”.