Fitorja e Albin Kurtit, Ditmir Bushati del me reagimin surprizë

Deputeti Ditmir Bushati ka komentuar procesin e zgjedhjeve në Kosovë dhe thotë se me këto rezultate fiton jo thjeshtë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, por e gjithë Kosova.

“Ishte zgjedhje atipike, jo vetëm për situatën që u zhvillua. I konsideroj zgjedhje atipike sepse nuk kemi pasur një ballafaqim. Nuk mendoj që thjesht ka fituar Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, por ka fituar Kosova, qytetari i zakonshëm që kontribuon në vendin e tij me djersë dhe punë të ndershme. Ka fituar besoj dhe ajo pjesë e shoqërisë civile që ka rezistuar nga fenomenet negative, gazetarisë satirike dhe shpirtprishur. Ka fituar gjenerata e Kosovës Evropiane. Besoj se do të përjetohet një rrugë e re për Kosovën Evropiane. Kosova ka fituar por përgjegjësia do të bjerë për Albin Kurtin”, tha Bushati.

Më tej deputeti nënvizoi se rezultati kaq i shpejtë në zgjedhje dhe pa kontenstime nga partitë humbëse është një leksion më i mirë për Shqipërinë. Ai tha se do të luftojë me të gjitha forcat që dhe në Shqipëri të implementohet e njëjta situatë si në Kosovë, megjithëse pranoi se është shumë e vështirë.

“Është e vërtetë, duhet ta pranojmë. Kosova një shtet 13 vjeçar në këtë drejtim e ka lënë pas Shqipërinë. Që nga viti i mbrapshtë 1996, procesi zgjedhor ende nuk është shtrirë në kufijtë e normalitetit. Ndërkohë që sado që përpiqemi të sofistikojmë, të shkruajmë ligje mjaft kufizuese, e kemi ende të vështirë për të pranuar rregullat bazë demokratike. Unë do të luftoj që një gjë e tillë të ndodhë në Shqipëri, por që kjo të ndodhë duhet të shoqërohet me rregulla më të mira të lojës brenda forcave politike. Për më shumë garë brenda forcave politike por edhe ekonomi. Këto janë dy nga elementët kryesorë që do i jepnin shoqërisë frymën e nevojshme, në këtë kontekst ne kemi se çfarë të mësojmë nga Kosova dhe jo vetëm Kosova prej nesh”, u shpreh deputeti.