Eva Alikaj i rrëfen të tëra, nga jeta mes Shqipërisë e Austrisë, tek djali 28-vjeçar dhe rikthimi në skenë, “Kur më sulmon maskarai unë bëhem maskareshë”

Ndonëse 59-vjeçare, ajo i përgjysmon vitet me energjinë, buzëqeshjen dhe zërin e saj që ka ngelur i paprekur nga koha. Aktorja e madhe Eva Alikaj ka qenë e ftuar e rubrikës “Opinion” në News24, ku ka treguar shumëçka për jetën e saj mes Shqipërisë dhe Austrisë, familjen, dy prindërit dhe djalin tashmë 28-vjeçar si dhe anën profesionale dhe rikthimin në skenë. Alikaj tha se është duke organizuar një mbrëmje poetike me aktorët Timo Flloko dhe Ndriçim Xhepa.

“Për momentin po merrem me organizimin e një mbrëmjeje poetike ku do të jenë aktorët Timo Flloko dhe Ndriçim Xhepa. Unë nuk e kam lëvruar këtë zhanër por më ka pëlqyer shumë. Shpresojmë që së shpejti ta shfaqim. Provat në ambient të hapur, pa maskë por me distancë.

Teatri po punon me shumë dëshirë por me frikë për shkak të COVID. Po bëjnë prova, janë dy shfaqje paralele. Për festat e nëntorit shpresojmë të kemi dramat në shqip. Aktorët janë vërtetë të dëshiruara. Të gjithë njerëzit janë sensibël por për aktorët duket si fundi i botës dhe mezi presim të shkojë mirë”, tha Alikaj.