Erion Veliaj tregon kush nga demokratët i uroi shërim të shpejtë

Pavarësisht përplasjeve politike, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, gjatë kohës kur ka qenë i infenktuar me COVID-19, ka marrë urime shërimi dhe nga politikanë të kampit opozitar. Veliaj ka treguar se ish-kreu i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku dhe ish-ministri Tritan Shehu e kanë marrë në telefon dhe i kanë uruar shërim të shpejtë.

Veliaj deklaroi se nëse kundërshtari mendon se vdekja ose fatkeqësia jote do t’i shpëtojë, e kanë gabim, por sipas tij është gjithmonë energjia pozitive, mendimi alternativ fitues. “E vërtetë është, po, pati edhe prej atyre kundërshtarëve politikë që më morën në telefon për të më uruar shërim të shpejtë. Tritan Shehu, i cili është gjithashtu mjek, e vlerësova jashtëmase.

Një tjetër koleg me të cilin kemi pasur shumë debate dhe që ka drejtuar grupin e PD-së në Këshillin Bashkiak, Kreshnik Çollaku, më uroi shërim të shpejtë. Unë besoj që njerzillëku duhet të na shoqërojë të gjithëve. Por ja që ka edhe nga ata që kanë kulturë urrejtje dhe ti se kupton se nga vjen në çështje të tilla kur preket shëndeti.

Megjithatë kur i sheh janë njerëz që nuk jetojnë në Shqipëri por janë vetëm tifozave të partive të ndryshme politike. Aty e kupton se siç politika ka forcën të bashkojë dhe të ndërtojë, politika ka po aq fuqinë të shkatërrojë shpirtra njerëzish që as tërmeti nuk e ka, dhe t’i përçajë dhe t’i injektojë frymë urrejtjeje.

Nëse kundërshtari mendon se vdekja ose fatkeqësia jote do t’i shpëtojë, e kanë gabim. Unë mendoj se është gjithmonë energjia pozitive, mendimi alternativ fitues, jo vdekja e kundërshtarit. Për të gjitha këto arsye, kam zgjedhur të injoroj.

Por besoj se kemi nevojë për më shumë bashkim, mirësi dhe në disa punë siç janë këto që shtrohen nga tërmeti dhe pandemia nuk është momenti për të bërë politikë. Ajo që vlerësoj shumë është se pasi bëra njoftimin, u njoha me shumë kolegë që kishin turp të thonin se ishin të prekur nga Covid-19.

U thashë se kjo stigmë, se nuk bëhet fjalë për imoralitet apo mëkat, është virosë e vështirë, por aspak kriminale. Se është më mirë ta thuash për t’i emancipuar njerëzit, por edhe për të treguar se nuk është imun askush ndaj saj.” tha Veliaj në “Hard Talk”.