E quajti bir komunisti, Rama i përgjigjet ashpër Metës

“Kur Ilir Meta përmend babain tim, ndiej thjesht keqardhje të thellë për Ilir Metën, t’i vijë turp…”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit Meta, i cili tha se kryeministri është mburrur se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.

I ftuar në emisionin “Pa Protokoll”, Rama tha se kreut të shtetit duhet t’i vijë turp për fjalët që ka thënë.

Kreu i qeverisë u shpreh më tej se Meta do të harrohet, ndërsa Kristaq Rama do të jetë aty, tek “Nëna Shqipëri” dhe Heronjtë e Pavarësisë së Vlorës.

“Kur Ilir Meta përmend babain tim, ndiej thjesht keqardhje të thellë për Ilir Metën, t’i vijë turp, por në fund fare kur Ilir Meta të jetë harruar njëherë e përgjithmonë, Kristaq Rama do të jetë aty, tek ‘Nëna Shqipëri’ dhe Heronjtë e Pavarësisë së Vlorës dhe të gjithë kur të shkojnë të nderojnë dëshmorët apo etërit e pavarësisë do të ngrenë kokën lart dhe do të admirojnë atë që Kristaq Rama i ka lënë këtij vendi”, tha ai.