Dosja më e nxehtë në duart e SPAK, prej 3 vitesh hetimet ndaj Metës e Berishës të bllokuara, sytë te BKH

Prokuroria e Posaçme ka me qindra dosje në hetim dhe për këtë arsye pritet që të rritet numri i prokurorëve vitin që vjen. Përveç hetimeve të reja, janë shumë dosje të marra nga Kr imet e Rënda. Por padyshim dosja më e rëndësishme është ajo e aferës CEZ-DIA, ku janë paditur ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Padia u bë para tre vitesh nga juristi Romeo Kara, por dhe sot që flitet nuk ka asnjë shenjë pozitive në horizont. Që ka pasur skandale me aferën CEZ-DIA kjo është konfirmuar dhe nga Gjykata e Tiranës sepse kreu i DIA u dënua me burg, por asnjë politikan nuk përfundoi para drejtësisë. Juristi Kara bëri një padi kur të gjithë emrave të përfshirë, por ashtu si Prokuroria e Kr imeve të Rënda edhe Prokuroria e Posaçme nuk është marrë me këtë dosje. Vetë juristi nuk është njoftuar, ndërsa nga ana e SPAK nuk ka asnjë detaj mbi fatin e kësaj çështje. Juristi Kara bëri dy padi, një për privatizimin e OSSH nga CEZ dhe një për paktin CEZ-DIA për borxhet e prapambetura. Dosja e privatizimit u pushua nga prokurori, ndërsa e mira e dosjes CEZ-DIA është se ndodhet në arkivën e SPAK dhe nuk i dihet se çfarë do të ndodhë. Shpresat janë padyshim te Byroja e Hetimit. Me ngritjen e këtij institucioni priten shumë zhvillime në sistemin penal dhe ndoshta dhe afera CEZ-DIA do të gjejë dritën e rihapjes.

Padia

Juristi Kara në padinë që ka bërë në prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale. Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe. Fillimisht Kara ka renditur dëshmitë që ka dhënë ish-kreu i CEZ, Jozef Hejsek. Sipas tij, ky i fundit ka thënë: “Qazim Tepshi, në atë kohë Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si mbledhës të jashtëm të borxheve të CEZ-it, duke e prezantuar atë si një aleat të ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe të Kryeministrit Berisha. Kjo, sipas Hejsekut, mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009. Vjeshta e vitit 2009 rezulton të jetë pikërisht koha kur pala ceke filloi administrimin e OSSH-se, të sapo privatizuar në atë kohe prej tyre”. Kara ka rrëfyer dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mata. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aksidentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, thuhet në dosje. Kara përmend dhe paratë që kanë qarkulluar në këtë mes. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro. Ai ka përmendur dhe një valixhe me para. “Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, që i përkiste Elvis Matës, rreth 200 milionë leke të vjetra. Kjo gjë ka ndodhur, sipas Elvisit në fund të vitit 2010 ose në fillim të vitit 2011. Më shumë ka mundësi ne fillim te vitit 2011”, thuhet aty.