“Do të ndodhë përmbysja e madhe”, Presidenti Meta paralajmëron ‘tërmet’ në politikën shqiptare

Presidenti Ilir Meta në zgjedhjet e 25 prillit nuk pret thjesht një rotacion, por një përmbysje. Sipas Kreut të Shtetit, vendi ka nevojë për një përmbysje, në kuptimin më të mirë të fjalës.

“Për mua nuk është më i rëndësishëm rotacioni, sepse ai do të thotë më shumë ndryshim raportesh në qeverisjen e vendit. Vendi ka nevojë për një përmbysje, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë, e them shpesh koha e ndryshimit ka ikur që prej katër vitesh. Këto katër vite, që kemi kaluar kanë folur për një përkeqësim të rëndë të situatës, në funksionimin e shtetit të së drejtës.

Kemi parë një përkeqësim të situatës ekonomike dhe sociale, që përpara se të ndodhte pandemia. Ka një rritje të polarizimit shoqëror në vend. Kemi një rritje të jashtëzakonshme të borxhit. Ndërkohë kemi një rënie të ndjeshme të ardhurave për qytetarët shqiptarë, që do të thotë se ky borxh që është marrë ngrihet në nivele shumë të larta dhe nuk ka shërbyer as për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe as për të luftuar varfërinë. Ky borxh ka shkuar në interes të grupeve të përzgjedhura të sipërmarrësve, të cilët kanë vazhduar të fitojnë koncesione tepër të dyshimta.

Në këtë drejtim, jemi në një situatë ku vetë mosçelja e negociatave me Bashkimin Europian tashmë për një kohë të gjatë, tregon për krizën, jo thjesht për stanjiacionin. Është momenti për një ndryshim të fortë dhe të qartë të vendit, që do përcaktojë një rrugë të qartë europiane, dhe kjo arrihet vetëm përmes një ndryshimi.

Unë, mendoj, që në tërësi populli shqiptar kërkon një ndryshim të fortë edhe të qartë. Treguesi i shifrave të largimit të shqiptarëve, sidomos i të rinjve nga vendi është alarmues. Mos harrojmë se, është rritur shumë. Sidomos cilësia e qytetarëve dhe e të rinjve që largohen. Nga Shqipëria po ikën, jo vetëm mosha më aktive e popullsisë, por njëkohësisht edhe intelektualët, të rinjtë shumëmirë të arsimuar apo ata që janë në punë të mirëpaguara dhe me një nivel të mirë të jetesës. Kemi të bëjmë me një mungesë shprese dhe pasiguri, që duhet të marrë një përgjigje përmes 25 prillit”, u shpreh Presidenti.

Presidenti Meta i bëri thirrje shqiptarëve që të ndëshkojnë me votë ata që i kanë gënjyer.

“E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër.

E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij.

Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata”. tha Meta për News24.