Do të hyjë në zgjedhjet e 25 prillit me parti të re, Rudina Hajdari del me mesazhin e fuqishëm: Kjo gjë nuk do të ndodhë

Deputetja Rudina Hajdari ka përjashtuar mundësinë e koalicioneve me atë që ajo e cilëson si “klasë të vjetër”. Sipas Hajdarit, është rritur numri i personave të zhgënjyer të cilët nuk votojnë më dhe i quajnë politikanët si të ngjashëm me njëri-tjetrin.

Por deputetja thekson se kjo klasë e vjetër duhet të marrë dënimin e merituar dhe të përballet me drejtësinë për të gjithë korrupsionin që ka bërë, e cila sipas saj ka sjellë edhe bllokimin e rrugës drejt BE.

“Koalicionet nuk ekzistojnë me një klasë të vjetër politike sepse nuk mund të bëhesh i besueshëm. Në momentin që i bëjmë premtime qytetarëve t’i mbajmë dhe shumë qytetarë të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze. Hapësira është se ka shumë njerëz që nuk votojnë sot dhe i quajnë aktorët politikë shumë të ngjashëm. E rëndësishme është që në Shqipëri të ngrihet një klasë e re politike. Kjo klasë e vjetër politike duhet të marrë ndëshkimin e duhur për korrupsionin dhe faktin që e ka mbajtur peng Shqipërinë, e cila nuk po avancon në rrugën drejt Bashkimit Evropian“, – u shpreh Hajdari.

Për Rudina Hajdarin akuzat se forcat e reja politike ndihmojnë Ramën janë të bëra nga forca politike që duan të mbajnë statukuonë.

“Ajo parti që i shërben Qeverisë Rama është ajo parti që braktisi betejën politike. Nuk mund të jetë kurrë një shërbyes i qeverisë kur përballësh me të, siç unë i kam pasur me Kryeministrin Rama. Shpesh kam denoncuar dhe kam luftuar fort në betejën për ndryshimin e pushtetit. Partitë e reja janë një gjë pozitive. Paritë e vjetra kanë dashur ta ndajnë bakllavanë mes veti. Partitë e reja politike sjellin diçka të re në Shqipëri. Kjo është një betejë edhe pas 25 prillit për të treguar devotshmërinë për të pasur një Shqipëri me një klasë tjetër politike”, – tha Hajdari për “Report Tv”.