Do ketë mbyllje totale pas dy javësh? Drejtoresha e ISHP zbulon skenarët

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico deklaroi sot ndër të tjera se ulja e temperaturave është një ndër faktorët që solli rritjen e rasteve me koronavirus, por edhe neglizhenca e vetë qytetarëve.

Fico theksoi për ABC se Covid nuk përfundon me negativizimin, ndërsa solli si shembull raste që nuk janë rikupureuar për një kohë të gjatë.

E pyetur nëse do të jetë mbyllja si opsion pas dy javësh, ajo u shpreh se gjithçka është në tavolinë, por nuk ka arsye për të shkuar deri aty, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga qytetarët.

“Virusi ndryshon se do me patjetër të gjejë mundësinë reale për të mbijetuar në një habitat. Covid është më gjerë se ky moment. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se duke qenë se është një sëmundje e re, e gjithë kjo është një luftë shumë e madhe. Të mundohemi me të gjitha mënyrat ta parandalojmë.

Ne të gjithë jemi mjekë në radhë të parë. Duke qenë të ngarkuar me këtë detyrë konsultohemi. Me atë çka bën bota dhe me atë çka ne mund të bëjmë. Ka dy element: është e vërtetë që midis politikës dhe mjekësisë mund të mos ketë dakordësi 100%. Unë kam prirjen të besoj se ne secili shikojmë në atë destinacion që jemi të trajnuar, që prioritet të kemi shëndetin. Politika ka objektivat e veta për të çuar përpara axhendën, që ka të bëjë me jetën, ekonominë. Kemi qenë të kujdesshëm që të sjellim argumenta. Një nga argumentat e fortë në Komitet ka qenë një studim në Itali për vetëvrasjen në 71 persona me moshë të re. Kjo është një gjë e tmerrshme. Kur ti merr një masë situatën psiko-njerëzore nuk e përjashton dot. Ka pasur raste, ISHP midis shumë bashkëpunimeve ka një bashkëpunim të përhershëm me ISHP në Gjermani. Me ta kemi shkëmbyer shumë gjëra në raport me masën e mbylljes. Pse u merakosëm aq shumë për moshat e treta dhe sot vetëm 7% e rasteve janë pozitivë tek moshat e treta. Hajde të mbledhim të gjitha forcat. Këtu nuk është punë politike fare.

S’ka asgjë të gjendur në gurë. Çdo gjë që do shërbente për shpëtimin e jetëve në këtë moment është e gjitha në tavolinë. Nuk ka arsye të shkojmë në atë pikë. Me masat shtesë, me kontrollin…”, deklaroi ajo.

Ndër të tjera, Fico kishte edhe një përgjigje kryesisht për akuzat e opozitës. “Nuk ka burrë nëne që të influencojë personat që janë në atë Komitet. Kemi qëndruar shumë fort edhe kur ka pasur grupe interesi që kanë bërë presion. Nëse na keni vënë prift, mos na rruani mjekrën. Ti nuk e ndan dot veten nga të qenurit qytetar”, tha ajo.