‘Do i sjell ata kuksianët nga Londra që të …!’, Rama ironizon keq Bashën

Kryeministri Edi Rama nga Saranda ka ironizuar programin e kryedemokratit Lulzim Basha, duke u ndalur veçanërisht te premtimi i tij për t’iu dhënë nga një laptop nëpër shtëpi studentëve. Nga Saranda, ku ishte këtë të diel, Rama tha me ironi se as të djathtët nuk duhet t’i hanë këto lloj premtimesh.

“Si mund të thuash që do iu çoj nga një laptop në çdo shtëpi. Çfarë janë këto muhabete? Dhe ti që je i djathtë duhet t’i hashë këto? Është normale që njeriu mund të dëshirojë që në Shqipëri të ketë një alternativë të djathtë, por për sa kohë s’e ka këtë alternativë, si duhet t’i shkosh mbrapa. Kjo ka bërë që PD të mos reformohet, sepse e kanë mbështetur pa kushte, ata që e kanë mbështetur”, u shpreh kryeministri.

Më tej, kreu i qeverisë foli sërish për premtimin e tij për të sjellë në aeroportin e Kukësit para zgjedhjeve të 25 prillit 100 kuksianë, që të votojnë për Partinë Demokratike, duke thënë se “Unë shpresoj shumë që ky varianti i ri të mos ma bëjë të pamundur atë premtimin që do sjell 100 kuksianë e t’i ulë në aeroportin e Kukësit para zgjedhjeve. Që avioni do të ulet aty, kjo është e sigurt, por dua që të ulet bashkë me ata kuksianë, që të votojnë. Të hanë atë djathin, që në fyt pastaj do ta shohin që është sapun”.