Do bëhej nuse por u përcoll me arkivol të bardhë, historia e Sahar në Liban përlot botën

Sahar Fares, 27 vjeç, po planifikonte dasmën, por në vend të kësaj, familjarët mbajtën një ceremoni mortore, pas shpërthimit shkatërrues të Bejrutit. Të enjten, familjarët dhe i fejuari, Gilbert Karaan, organizuan një ceremoni të ngjashme me një dasmë, të cilën Sahar nuk pati fatin ta shijonte sa ishte gjallë.

Një bandë për dasmat luajti muzikë, të tjerë u ranë daulleve, familjarët hodhën oriz dhe petale lulesh. Kjo ishte ceremonia që u kthye në simbol të dhimbjes së Libanit. Muzikatët luanin muzikë, ndërsa zjarrfikësit me uniformë mbanin arkivolin e bardhë, me të cilin Gilbert-i përpiqej të “vallëzonte”.

“Çdo gjë që deshe do të jetë në dasmë, përveç teje,” shkroi ai në rrjete sociale. “Më ktheve shpinën e dashur, më theve zemrën. Jeta s’ka më kuptim tani që ti nuk je më.”

Sahar, 27 vjeç, ishte një nga viktimat e shpërthimit që në pak sekonda shkatërroi kryeqytetin duke e kthyer në një zonë që ngjasonte me një vend pas lufte. Çdo humbje jete është një tragjedi më vete, por historia e Sahar është shpërndarë më shumë në rrjete sociale duke u kthyer në simbol të dhimbjes së libanezëve.

Sahar i ishte përkushtuar shërbimit publik dhe kishte plane për të ndërtuar një familje. Ajo shërbente si një person i trajtuar që ofronte kujdes mjekësor urgjent për njerëzit e sëmurë rëndë nga një dukuri e papritur ose përpiqej t’i stabilizonte derisa të vinte ekipi i specializuar spitalor.

Sahar telefonoi të fejuarin të martën për t’i treguar për një zjarr që kishte shpërthyer në portin e Bejrutit. Askush nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore, kështu që Sahar u mbështet në një pajisje për fikjen e zjarrit aty rrotull dhe po vështronte zjarrfikësit teksa përpiqeshin të shuanin flakët.

Më vonë, ajo telefonoi Gilbert-in për t’i dhënë një vështrim të përgjithshëm për zjarrin. Tingujt janë të çuditshëm, i tha ajo, tinguj të cilët nuk i kishin hasur kurrë. Ai iu lut që të kërkonte që të largohej, të njëjtën gjë i thanë edhe të afërmit. Por ishte shumë vonë. Më pas, shpërtheu gjithçka.

“Nusja ime e bukur. Dasma jonë ishte parashikuar të mbahej më 6 qershor 2021. Por jo, do të jetë nesër e dashur,” shkroi Gilbert. “Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë, derisa të ribashkohem me ty dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë.”

E trajnuar si infermiere, Sahar vendosi që në vitin 2018 të bëhej pjesë e shërbimeve civile. Ajo preferoi stabilitetin e punës dhe përfitimet shoqërore si një e punësuar në shtet, pasi pa vështirësitë që kaloi i ati me profesion saldator dhe e ëma, mësuese në shkollë shkruan anabel.

Sahar u rrit në fshatin Al Qaa, në veri të Libanit, në kufi me Sirinë. Gjithë jetën, ëndërroi për qetësi, të cilën nuk e pati kurrë. Në vitin 2016, Shteti Islamik sulmoi Al Qaa dhe vr au pesë banorë e plagosi dhjetëra të tjerë. Një kushërirë e Sahar ndërroi jetë.

Shumë banorë të zonës e përshkruajnë humbjen e saj si diçka shumë të tmerrshme për t’u përballuar. Kryetari i Bashkisë së Al Qaa u shpreh se “Sahari është simbol i njerëzve që i përkushtohen kombit dhe humbasin gjithçka”. “Do të doja të kishte një komb ku t’ia vlente sakrifica dhe përkushtimi i saj. Do të doja të kishim një shtet të denjë.”

Muaj më parë, Sahar kishte nisur të kursente për të blerë fustanin e dasmës dhe gjërat e tjera të nevojshme për ceremoninë, e cila u organizua, por pa të.