Demokratët kërkuan rikthimin e saj në PD / Ja çfarë thotë Bujar Nishani për refuzimin e plotësimit të formularit nga Jozefina Topalli

Ish-presidenti dhe anëtari i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, Bujar Nishani ka komentuar refuzimin e plotësimit të formularit nga ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

“Unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim dhe bindjes time që kontributi i zonjës Topalli është dhe vazhdon të mbetet i rëndësishëm për Partinë Demokratike. Por natyrisht, që gjykimet janë personale. Tek pjesa tjetër, çështja procedurale se si veprohet në këtë proces është një çështje që është në referencë të vendimeve politike që kanë marrë organet e PD. Gjithëkush prej nesh vepron dhe është angazhuar në respekt të plotë të këtyre vendimeve. Në momentin që një procedurë kthehet në një akt vendimarrës të gjithë ne jemi të obliguar dhe ti ndjekim ato. Unë mendoj se ky proces i zgjedhjes është një proces që ka përfshirë shumë hallka. Unë mendoj se ata mijëra demokratë që janë përfshirë në këtë proces meritojnë të respektohen”, deklaroi Nishani për ABC News.