Del në pah marrëveshja Rama-Erdogan, këto shkolla, biznese, banka dhe spitale në Shqipëri nën hetim për pastrim parash

Dhjetra institucione të financuara nga Fet’hullah Gylen në vendin tonë janë vënë nën hetim nga prokuroria. Pas grushtit të shtetit që ndodhi në Turqi, presidenti Rexhep Taip Erdogan nisi një fushatë kundër të gjithë mbështetësve të Gylen, ndërsa e shpalli edhe si organizatë terroriste duke e quajtur FETO. Në vendin tonë ka shumë institucione, kryesisht arsimore, të cilat financohen nga Gylen. Turqia prej vitesh ka kërkuar që të mbyllen këto institucione dhe anëtarët e tyre të dërgohen në Turqi, por qeveria ka mbajtur linjën e SHBA-BE, duke mos pranuar kompromise të tilla.

Mirëpo, në fillim të këtij viti, kryeministri bëri një vizitë në Turqi, ku u prit me shumë nderime, ndërkohë që mori si dhuratë ndërtimin e një spitali në Fier. Të gjithë ngrinin pyetjen se çfarë do ta marrë Erdogan në këmbim? Sinjalet janë se gjithçka ka të bëjë pikërisht me FETO, pasi vetë Turqia ka informuar se ka vënë në dispozicion të prokurorisë shqiptare dhjetra dosje për këto institucione, duke ngritur dyshime për pastrim parash. Vetë kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, gjatë vizitës në Tiranë javën që lamë pas deklaroi se ka nisur një hetim pasuror për të gjitha organizatat që financohen nga Fet’hullah Gylen.

“Ka dokumente, informacione që janë zbuluar në Turqi gjatë hetimeve dhe gjykimeve që kemi kryer lidhur me këtë. Ne këto i ndajmë dhe i vlerësojmë me homologët tanë. Edhe në Shqipëri ka persona dhe institucione të konsiderueshme. Është një strukturë e organizuar në kuadrin e kompanive dhe institucioneve arsimore, të medias dhe të shoqërisë civile. Sigurisht që këto “struktura legale” janë struktura që fshehin qëllimet dhe aktivitetet e tyre të vërteta”, tha ai.

Nisja e hetimeve:

Është e qartë që pas ekstradimeve të gylenistëve drejt Turqisë dhe pas largimit të njerëzve që vijnë nga këto struktura, siç ishte dhe rasti i një ministri të qeverisë shqiptare, i cili u largua me kërkesë të Erdoganit nga dikasteri ku drejtonte, duket se radhën do e ketë një grup tjetër gylenist. Kryetari Sentop e specifikon qartë grupin që pastron para në Shqipëri.

Ai është një grup që posedon universitete, media, spitale dhe shoqëri civile. Ky grup, për fatin e keq të kryeministrit është përfitues i disa koncensioneve qeveritare, grup të cilin së shpejti do e shikojmë në bankën e të akuzuarve për pastrim parash dhe vepra të tjera penale. “Kam dijeni se edhe prokuroria shqiptare ka një hetim lidhur me pastrimin e parave për organizatën FETO. Ky është një hetim i përpiktë. Ne e dimë se përderisa ata përdorin të gjitha burimet, veçanërisht burimet ekonomike, për qëllimet e tyre të vërteta, ata gjithashtu përdorin strukturat e tilla si ato arsimore, të medias, OJQ, si një maskë për të fshehur dhe mbuluar aktivitetet e tyre”, theksoi Sentop.

Të rrezikuarit:

Gazeta ka mësuar se në Shqipëri, ka ardhur një listë e gjatë me institucione që Turqia kërkon të hetohen, mbyllen dhe përfaqësuesit e tyre të dërgohen në Turqi. Sipas informacioneve, në bazë të kërkesës që ka ardhur nga Ankaraja, kanë nisur hetimet së pari për një spital privat. Bëhet fjalë për një spital shumë të njohur në vend, kreu i të cilit është i lidhur me organizatën FETO.

Po ashtu në listë është dhe një televizion informativ i mirënjohur, së bashku me një portal lajmesh, edhe ky i financuar nga Gylen. Më pas lista zgjerohet ndaj dy universiteteve private. Janë dy universitete të njohura që po ashtu janë në skaner, pasi edhe ato Turqia i akuzon se pastrojnë paratë e Gylen. Interesant është fakti se hetime kanë nisur dhe ndaj një banke të nivelit të dytë. Bëhet fjalë për një bankë jo shumë të njohur, por që operon prej disa kohësh në vendin tonë dhe ka disa pika.

Po ashtu, Turqia ka kërkuar hetim për një shtëpi botuese, një fondacion, dy qendra kulturore si dhe ndaj disa kolegjeve të njohura në vend. Sipas informacioneve, autoritetet janë në proces verifikimi, por nuk është çudi që në ditët që vijnë mund të shikojmë rënien e disa bizneseve që drejtohen nga anonimë dhe qarkullojnë para të pista në Shqipëri.