Deklarata e Mitsotakis, a po na rrëmben Greqia detin? Si është e vërteta

Sa herë flitet për ndarjen e detit me greqinë shqiptarët të djegur nga qumështi i fryjnë edhe kosit. Kështu ka ndodhur edhe këtë radhë pas një deklarate bombë të kryeministrit grek, Kyrakos Mitsotakis, këtë të mërkurë në parlamentin e vendit të tij. Ai i njoftoi deputetët për shtrirjen e kufirit detar me 12 milje në detin Jon. Duke folur për ratifikimin e marrëveshjeve detare me Italinë dhe Egjiptin të firmosura gjatë javëve të fundit, Mitsotakis tha: “Ne po e rrisim Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë“.

Mitsotakis u shpreh gjithashtu se në lidhje me qasjen e Greqisë ministri i Jashtëm Nikos Dendias, do të zhvillojë shumë shpejt një vizitë në Tiranë për të komunikuar me autoritetet shqiptare. Kaq u desh që në Shqipëri të ndizej frika konspiracioniste se greqia po fiton det në dëmin tonë, se ajo po r ëmben ujrat që i takojnë Shqipërisë, ashtu sikurse po tenton prej dhjetë vitesh. Këto pandehma dhe klithma të patriotëve fallco shërbeu për ti rritur edhe një deklarim evaziv i kryeministrit Rama në Facebook. Pa sqaruar si gjithnjë thelbin e problemit, Rama iu përgjigj një komentuesi: “ Nuk falen detet e tokat si rroba o mik, prandaj para se te flasesh per tema te tilla, ulu lexo, rri degjo, informohu e pastaj shprehu dhe ruhu nga genjeshtrat e medha se po te kapen ne gjume, i hengre e ike ne drejtim te paditur!’
Po si qëndron e vërteta?

Në fakt deklarata e sotme e kryeministrit grek nuk e prek drejtpërdrejt dhe domosdoshmërisht Shqipërinë. Kjo kuptohet edhe nga ajo që ai tha sot në parlament: “Ne do të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe do të aplikojmë standardin e ndajres në mënyrë të barabartë të detit kur distanca mes dy shteteve është më e ulët se 24 milje“, u shpreh Mitsotakis. Andi Bushati: Ç’na tregon për marrëveshjen e detit, provokimi i anijes Oruç Reis në mesdhe

Në gjuhën e ekspertëve kjo është tejet e kuptueshme. Pra sipas saj Greqia do të zbatojë shtrirjen me 12 milje në ato zona ku ujrat e saj nuk mbivendosen mbi kufirin e ujrave shqiptare. Pra nëse hapsira detare mes dy vendeve është më e madhe se 24 milje ato të dyja mund të shtrihen me 12 milje sejcila, sipas marëveshjeve ndërkombëtare për detrat. Por në rastin mes Shqipërisë dhe Greqisë, problemi është i ndryshëm. Përshembull në zonën më të diskutuar në marëveshjen e 2010, atë të kanalit të Korfuzit, largësia mes dy brigjeve shkon nga 1 në 6 milje. Atëherë këtu sipas normave ndërkombëtare përdoret parimi i ndarjes në mes.

Pra Shqipëria nuk rrezikohet aspak nga deklaratat e sotme të Mitsotakis edhe nëse ato bëhen realitet. Rreziku real është kur të negociohet vija e mesit mes dy vendeve dhe nëse Greqia do të insistojë sërish që të fillojë matjen jo nga korfuzi por nga shkëmbijtë e pabanuar duke dashur të rëmbejë sa më shumë tokë. Aty ka vend që “patriotët” e vërtetë që ngritën një alarm fallco, të mobilizohen seriozisht.