COVID i merr jetën shoferit të Spiropalit, ministrja reagon e prekur: Nuk kam më as lot

Covid-19 i mori jetën ditën e sotme gardistit 58-vjeçar me inciale G.P, shofer i ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Pas lajmit të hidhur, ministrja ka reaguar me një postim në Facebook ku shkruan se është tronditur shumë dhe kujton sesi i ndjeri ishte shumë i kujdesshëm, i sillte maskat e ujin çdo ditë.

Shoferi i ministres, ka shfaqur dy ditë më parë simptomat e COVID-19 dhe situata sa ka ardhur duke u përkeqësuar. Ai ka shkuar me temperaturë të lartë në spital, por për fat të keq nuk ka mundur dot që të shpëtojë.

Reagimi i ministres: “Kur komandanti i Gardës më solli jetëshkrimin me fotografinë tënde, e kuptova menjëherë që ishe i duhuri. Rrezatoje përkorësi, fisnikëri, mirësi.

12 orë në ditë, për 1 vit e gjysëm, më shoqërove kudo, i duruar, i vëmendshëm, i kujdesshëm. Çdo ditë sillje maskat, ujin, i vendosje tek dera e makinës, më tërhiqje vërejtje se pija pak. E thoje me krenari që s’kishe pirë kurrë një aspirinë.

Kur më lajmëruan që ke humbur vetëdijen dhe të kanë intubuar, tronditja ishte aq e madhe sa nuk nxorra dot asnjë fjalë. Vetëm lot që rridhnin pa kontroll. Sot, që ky virus i pabesë të mori frymën dhe jetën, s’kam më as lot. Nalta të adhuronte, çdo njëri nga ne që të njohu të donte dhe të respektonte. Na ke tronditur dhe trishtuar thellësisht. Për familjen tënde nuk ka ngushëllim, por ne do iu gjendemi gjithmonë! Prehu i qetë, Gani! Dritë pastë shpirti yt i mirë!”

Foto: