Çoroditja me përgjigjet e testimeve, njëherë negativ njëherë pozitiv, vjen reagim i ISHP: Fajin e ka PD-ja

Instituti i Shëndetit Publik ka reaguar lidhur me denoncimet e bëra kryesisht nga Partia Demokratike, se testimet që kryhen pë rastet Covid janë të pasakta. ISHP akuzon opozitën se po çorodit qytetarët dhe testet që përdoren në laboratoret e ISHP-së janë të certifikuara.

ISHP:

“Testet janë të çertifikuara, padituria nuk duhet të çorodisë qytetarët. Në vijim të deklaratave të bëra nga një ish deputet i Partisë Demokratike, dhe të ndara më pas në faqen e kësaj partie, Instituti i Shëndetit Publik siguron qytetarët shqiptarë, se laboratorët tanë të kryerjes së analizave PCR, janë të standarteve më të larta të cilësisë dhe sigurisë. Cilësia e punës së specialistëve të ISHP dhe testeve të përdorura në rastin e COVID-19, JANË TË ÇERTIFIKUARA!

Kitet dhe reagentët e përdorura nga ISHP janë të standarteve ndërkombëtare, prodhuar nga kompani lider në sistemet dhe reagentet bioteknologjike, të ekstraktimit dhe amplifikimit të acideve nukleike. Me këto kompani punojnë të gjitha vendet e BE-së.

Epidemiologët tanë të terrenit dhe ekspertët e shëndetit publik, si dhe ata të laboratorit të ISHP, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të palodhur dhe shembullore, që nga dita e parë e pandemisë.

ISHP e konsideron krahasimin absurd mes analizës PCR dhe testeve serologjike, një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë. Padituria në dallimin mes testit PCR, dhe analizave serologjike – të cilat nuk bëjnë diagnostikim dhe saktësia e të cilave ende po vlerësohet kudo në botë – nuk duhet të shërbejë për të çoroditur qytetarët.

ISHP hedh poshte çdo aludim mbi punën e kualifikuar të institucionit, dhe u kujton qytetarëve se Laboratori ynë i Virologjisë është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar, që siguron edhe kontrollin e cilësisë së tij.

Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare të informacionit, kur duan të informohen në lidhje me ecurinë e pandemisë në vendin tonë.” – thuhet në reagimin e ISHP-së.