Çfarë po ndodh në Turqi? Monedha vendase bie në nivel rekord

Lira turke ka rënë në një nivel rekord duke u këmbyer në kuotën 8.15 me dollarin në mesin e shqetësimit të investitorëve për ekonominë turke të goditur nga koronavirusi dhe çarjet me aleatët e NATO-s. Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka zemëruar mes të tjerësh Francën dhe SHBA. Analistët ia atribuojnë dobësimin e lirës shqetësimeve për inflacionin në Turqi, 11.7 për qind muajin e kaluar, dhe refuzimit të bankës qendrore për të rritur normën e interesit. Një rritje e normës do të zbuste inflacionin dhe do të inkurajonte investitorët të blinin lira.

Ndërkohë, loja e të fortit e presidentit Erdogan në Libi, Siri, Qipro dhe Kaukaz, sipas analistëve, ka zbrapsur investitorët. “Rritja e tensioneve gjeopolitike më SHBA dhe BE, janë burime të reja presioni për të dobësuar lirën”, thonë ata.

Ndërkohë që ka shqetësime se një fitore e kandidatit presidencial amerikan, Joe Biden, do të sillte sanksione më të ashpra për Turqinë pasi ajo bleu sistemin rus të mbrojtjes nga raketat S-499 dhe tregu është i shqetësuar edhe për përkeqësimin e shpejtë të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Francës.

Lira ka humbur 26 për qind të vlerës së saj dhe autoritetet turke raportohet të kenë shpenzuar rreth 134 miliardë dollarë në 18 muajt e shkuara për të forcuar monedhën. BE është aktualisht partneri më i madh tregtar për Turqinë, por këtë muaj, liderët e BE lëshuan një paralajmërim të ashpër për Erdoganin në lidhje me kërkimet për gaz pranë Qipros. E sikur të mos mjaftonin këto është edhe koronavirusi që po rëndon ekonominë e vendit.