Cakaj ‘thyen heshtjen’, tregon arsyen e dorëheqjes

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka hequr dorë nga posti i tij ditën e sotme. Sipas Gazetës Ekspress, ai nuk ka ndërmend një kthim në politikën e Kosovës. Cakaj ka mohuar kategorikisht zërat se do të bëhet pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Lajme të rreme. Këtë përgjigje e kam dhënë edhe më herët për Express. Unë nuk planifikoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë. Kaq! Arsyeja e dorëheqjes nga pozita e kryediplomatit të Shqipërisë nuk është inkuadrimi në politikën kosovare,”- ka thënë Cakaj për median e Kosovës.

Cakaj dha dorëheqjen ditën e sotme për t’u zëvendësuar nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Në vend të kësaj të fundit, është caktuar ish-zv.kryeministri, Niko Peleshi.