“Brenda vitit”, Berlini jep lajmin e mrekullueshëm për Shqipërinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur dëshirën që brenda vitit të hapen kapitujt e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Berlini zyrtar sapo ka marrë presidencën 6-mujore të BE-së, dhe ndër prioritetet e shpalosur Merkel ka cituar pikërisht rrugëtimin europian të Tiranës dhe Shkupit.

“Duhet të hyjmë në diskutime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, ishin fjalët e kancelares, që shtoi se kjo do të ishte shenjë e perspektivës së anëtarësimit të dy vendeve ballkanike.

“Bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të zhvillohen këtë vit dhe kapitujt e parë duhet të hapen”, u tha Angela Merkel eurodeputetëve këtë pasdite.

Për Merkel, fillimi i negociatave me Shkupin dhe Tiranën përcjell një mesazh të rëndësishëm në lidhje me angazhimin e BE-së për të përfunduar kursin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Nëse të dy vendet ruajnë ritmin e tanishëm të reformave, raundet e para të negociatave mund të hapen qysh në nëntor ose dhjetor.

Presidenca gjermane po planifikon të shtojë çështjen në axhendën e BE-së në nëntor. Deri atëherë, Komisioni Evropian gjithashtu do të duhet të botojë raporte të rregullta mbi përparimin e reformave në të gjitha vendet e rajonit.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian paraqiti në Këshillin e BE një projekt-kornizë të negociatave të BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ajo u ankua për atë që ajo e quajti përparim të papërfillshëm në bisedimet e daljes me Mbretërinë e Bashkuar që rritën mundësinë e një ndarje pa marrëveshje.

“Progresi i bërë deri më tani ka qenë i papërfillshëm, për ta thënë butë … Unë do të vazhdoj të avokoj për një zgjidhje të mirë, por ne duhet të përgatitemi për mundësinë e një mosmarrëveshjeje,” pranoi Merkel.