Berisha kërkon varjen e Hashim Thaçit, Fatos Klosi: Berisha është peng i serbëve, do të fshehë bëmat kundër Kosovës

Teksa ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Sali Mustafa ndodhen në Dhomat e Paraburgimit në Hagë, pasi akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj ish-presidentit të Kosovës. Berisha, në një intervistë për “RTV Dukagjini” dy ditë më parë, u shpreh se Thaçi së bashku me “padronin” e tij, Vuçiçin e Edi Ramën bënë të pamundurën për ta “ndarë” Kosovën. I prerë dhe i qartë në ato që deklaronte, ish-kryeministri Berisha theksoi se Hashim Thaçin nuk e akuzon për vrasje, por shtoi se për tradhti kombëtare do ta varte tre herë në shtyllë bashkë me Edi Ramën.

Sipas tij, Thaçi ka bërë gjithçka për shkëmbim territoresh me Serbinë. “Hashim Thaçi bëri gjithçka për shkëmbim territoresh me padronin e tij, Vuçiçin. Edi Rama bëri gjithçka për ndarjen e copëtimin w Kosovës. Së bashku me Baton Stanishiqin ndërtuan 3 viteve të fundit dhe bënë një fushatë për zhbërjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Prandaj, në qoftë se unë s’pranoj kurrë akuza ndaj tij apo ndaj tyre për kanibalizëm siç ishte formuluar akuza e Gjykatës Speciale, absolutisht për aktet që i kanë kryer ndaj Kosovës do t’i varja të 3 në shtyllën e turpit të historisë kombëtare shqiptare dhe do t’i dënoja ata me dënimet më të rënda për tradhti kombëtare”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Reagon Klosi:

Por këto deklarata dhe akuza të forta në adresë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kanë sjellë reagime të shumta të krerëve të partive politike shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Gazeta foli me ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i cili gjatë një prononcimi deklaroi se sulmet e Berishës ndaj Thaçit janë skandal. “Deklarata e Sali Berishës që sulmoi ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë që do ta varja në shtyllën e turpit bashkë me Edi Ramën është e turpshme. Berisha po flet çmenduria lidhur me gjërat e fundit, si shkëmbimet e territorit dhe këto akuzat e fundit i lidh me mosmarrëveshjet e fundit që u aludua që do të shkëmbeheshin territoret, për të treguar që është patriot dhe nacionalist që mbron me pathos Kosovën.

Pra, Berisha do të lajë duart dhe tregojë veten e vet që është patriot përmes këtyre sulmeve dhe nuk e ka hallin as tek Rama as tek Thaçi”, u shpreh ai. Ndërkohë ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi shtoi se përmes këtyre deklaratave ish-kryeministri do të fshehë bëmat që ka bërë kundër Kosovës, pasi sipas tij, Berisha ka dëshmuar në dy raste që është një anti-kosovar i thekur. “Berisha kërkon të kamuflohet që Rama dhe Thaçi me shkëmbimet e territorit ose me ndryshime territoresh kanë treguar veten që nuk janë patriotë. Por një gjë e tillë nuk u bë dhe Saliu po përpiqet që ta mbajë si kauzë këtë gjë për të fshehur bëmat e tij si antishqiptar dhe anti-kosovar që është. Në këtë pikë, dua të zbuloj për gazetën tuaj se Sali Berisha ka dy raste shumë të forta. Berisha shkeli embargon në kohën e luftës së Kosovës duke furnizuar Serbinë dhe Millosheviçin me naftë.

Si qëndrimi në Rambuje që Berisha ishte kundër marrëveshjes. Këto janë 2 momente shumë të rëndësishëm proserbe të Berishës. Berisha asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk e ka dashur Kosovën dhe do që tani përmes shfaqjes si patriot do të mbulojë këto defekte. Berisha ka vepruar dhe ka bashkëpunuar me Millosheviçin dhe ka qenë peng i tij. Berisha është njeriu më antikosovës dhe anti shqiptar”, nënvizoi Klosi për gazetën “SOT”.