Befason të gjithë Rudina Xhunga: Kjo ministre e Ramës duhet të ikë që nesër

Gazetarja Rudina Xhunga komentoi deklaratën e ministres së Arsimit, Besa Shahini, e cila u shpreh se në përfundim të këtij mandati do të largohet nga Shqipëria. Për Xhungën, ministrja në prag të rifillimit të procesit mësimor në kohë pandemie, duhet të mbante një fjalim për fëmijët për t’i dhënë më shumë kurajë, në vend që të paralajmëronte largimin e saj.

“Unë e kam pëlqyer paraqitjen e ministres Shahini. Nuk di të them çfarë ka bërë për arsimin më shumë sesa bëri Lindita Nikolla, apo Genc Pollo, por më ka pëlqyer mënyra e saj e të qenit joprotagoniste, jobërtitëse, me këpucë të sheshta ne qeverisje. Nuk më pëlqeu mënyra sesi tha që do të largohet, pasi tani fëmijët nisin shkollën.

Nuk jam për të thënë: “Besa preu në besë PS-në!” Nuk më pëlqejnë këto patetizmat, por mund të zgjidhte një mënyrë më elegante, ta bënte kur t’i vinte koha. Tani të ishte në krye të detyrës. Është mirë që në të tilla momente, kur fillon viti arsimor ministrja e Arsimit të kishte fjalë të tjera për fëmijët dhe jo: “Unë do të iki sepse do të mendoj për familjen time!”.

Në momente të tilla ka një familje të përbashkët, është shkolla. Ministrja Shahini kishte shansin që të ishte ajo një herë në 100 vjet që t’u thoshte një fjalë fëmijëve të këtij vendi. Ndërsa ajo zgjodhi t’u thotë: “Do të iki.” Të jetë për mua ajo duhet të ikë që nesër. Nuk duhet të vazhdojë. Duhet të jetë një njeri tjetër që të flasë për fëmijët e këtij vendi dhe t’i japë mesazhin si ministër Arsimi i një viti të jashtëzakonshëm shkollor”, – tha gazetarja për “News24”.