Befason biznesmeni: Blushi më kërkoi 100 mijë euro borxh që nuk mi ktheu kurrë

Ben Blushi, është politikani më i akuzuar dhe më i denoncuar në Ambasadën e SHBA në Tiranë për zullumet që ka bërë në kohën që ka qenë në Parlament dhe jo vetëm. Dosje të denoncimeve dhe letrave ndaj Blushit i janë dërguar Ambasadës Amerikane nga biznesmenët shqiptarë, ndër të cilët është edhe Andon Dhima.

Biznesmeni ka denoncuar pasurinë miliona dollarëshe të Blushit në qendër të Tiranës, ndërsa ka vënë në dijeni Ambasadën e SHBA për faktin se drejtori i Top Channel, ka 63 mijë dollarë karburant pa paguar. Në kohën kur Blushi ishte deputet merrte karburant pa paguar, ndërkohë që Parlamenti u jepte deputetëve miliona lekë për karburant dhe shpenzime të tjera.

Në një tjetër pjesë të letrës së Andon Dhimës, ky i fundit deklaron se Ben Blushi i ka kërkuar me urgjencë 100 mijë euro. Biznesmeni tregon se drejtori i Top Channel e ka telefonuar me telefonin e bashkëshortes së tij Eva Blushi dhe paratë janë kaluar në llogarinë bankare të vëllait të tij Martin Blushi.

“Në vitin 2008 Z. Blushi, nëpërmjet telefonit të bashkëshortes së tij, Znj. Eva Blushi (Brati), më kërkon me urgjencë t’i jap në formë huaje cash vlerën prej 100.000 (njëqind mijë) Euro ose nëse nuk ishte e mundur, shumën në cash t’ia kaloja në llogarinë bankare të vëllait të tij, Z. Martin Blushi. Transferta bankare u krye më datë 21.05.2008 nëpërmjet Bankës Amerikane të Shqipërisë, dhe kjo shumë nuk më është kthyer ende”, thuhet në letër.

Shumë biznesmenë të tjerë përveç Andon Dhimës i kanë dërguar letra Ambasadës amerikane në Tiranë, ku tregojnë bëmat e Ben Blushit./ CNA