Befasohet Erion Dasho: Ja çfarë pashë dje në urbanet në Durrës

Eksperti i njohur Erion Dasho shprehet se një nga masat më të domosdoshme në vendin tonë është ajo për të kthyer spitalet në mjedise të sigurta, dhe pa rrezik për kontaminimin e qytetarëve.

Ai tha se ka parë dje në Durrës dy të moshuar, të cilët hynë në urban pa maska.

“Ne dëgjojmë disa herë në ditë që ti bëhet thirrje publikut që të mbahet maskat, unë e mbështes këtë masë, por kjo nuk është ende e mjaftueshme. Pika e parë që ne duhet të arrijmë është që të kthejmë qendrat spitalore në qendra të pastra dhe me zero raste.

Duhen plane të qarta dhe për bizneset që kanë zyra pranë njëri tjetrit, po ashtu dhe në institucionet e administratës publike, transporti urban po ashtu duhet të jetë nën kontroll më të rreptë. Dje pashë këtu në Durrës se dy të moshuar hynë në urban pa maska, në një kohë që dhe aty brenda kishte persona të tjerë pa maskë.

Duhet të komunikohet me publikun më shumë, shpesh marr thirrje nga qytetarët që janë ende të painformuar, nuk e dinë ende sesi të sillen kur kanë persona në familje që janë të prekur me Covid. Urgjentisht rasti i dyshuar me Covid-19 duhet të drejtohet te mjeku i familjes me telefon, jo direkt.

Kur ka një situatë klinike të konfirmuar duhet që të telefonohet më pas në numrin e urgjencës. Gati një e treta e infektimeve ndodhin në familje, por më e rëndësishme është që spitalet të jenë me risk zero, dhe bizneset me rrezik sa më të ulët”, – tha Dasho për Fax News.