Basha piketon drejtuesit politikë në qarqe, baza e prerë kundër listës së përbashkët me LSI

Teksa Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zbritur në terren për të karikuar bazën për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 edhe Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet. Por ndryshe nga PS-LSI që po zhvillojnë takime elektorale, PD ka zgjedhur një tjetër strategji për të hedhur piketat e para për këto zgjedhje. Kështu gazeta ka mësuar se kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur piketimin drejtuesit politikë në qarqe, ndërkohë që tanimë në tryezën e tij ka shkuar edhe lista me kandidatët për deputetët e nxjerrë nga Komisioni i Vlerësimit. Plani i demokratëve ishte që drejtuesit e 12 qarqeve të Partisë Demokratike të vendosej dhe bëhej publike që në tetor. Mirëpo për shkak të procesit të zgjedhjeve për kandidatë, ky proces u la disi pas dore. Por burime nga selia blu theksuan se tanimë Basha i ka piketuar emrat e 12 koordinatorëve të PD për qarqe, ndërsa mësohet se ata janë figura me peshë dhe me reputacion në zonat ku do të mandatohet që të udhëheqin fushatën e Partisë Demokratike. Kështu që duke qenë se zgjedhjet e 25 prillit janë të rëndësishme, Basha ka zgjedhur tjetër strategji për të nisur rrugëtimin e tij drejt fitores së tyre, sikundër është piketimi i 12 komisarëve të PD në qarqe dhe më pas hedhja në terren, duke zhvilluar takime. Pra, këto zhvillime tregojnë qartë se edhe Partia Demokratike tashmë ka ndezur motorët e fushatës zgjedhore, duke u përgatiturit për zgjedhjet e ardhshme, të cilat edhe pse duan edhe disa muaj që të trokasin kanë rritur temperaturat e politikës në Shqipëri, ku secila parti politike këmbëngul se do të jetë ajo fituesja e tyre.

Baza e prerë kundër listës së përbashkët me LSI

Por në një kohë që të gjitha partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës zgjedhore, Partia Demokratike vijon të mbajë “peng” aleatët e saj sa i takon mënyrës se si do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Aleatët tradicionalë të Bashës ditët e fundit kanë shtuar dozën e presionit, duke i kërkuar shefit të selisë blu që të dalë dhe të shpalosë programin se si do të shkojë opozita në këto zgjedhje, duke kërkuar me ngulm që më e rëndësishmja për ta është çështja e listave zgjedhore. Por ditët e fundit edhe LSI i ka dërguar një sërë mesazhesh Bashës, duke ia bërë të qartë se kjo parti do të vendosë për qeverinë e ardhshme. Kështu që përmes kësaj strategjie Lëvizja Socialiste për Integrim po përpiqet të tregojë se është ajo partia që ka në dorë PD-në. Mirëpo, pavarësisht këtyre zhvillimeve, gazeta ka mësuar se baza demokrate është rreshtuar kundër bashkëpunimit të PD me LSI. Sipas informacioneve, në disa takime të zhvilluara ditët e fundit me ish-deputetët, mësohet se ndaj këtyre të fundit kanë shkuar një lum rezervash nga baza për partinë e Kryemadhit. Mësohet se njerëzi demokratët kanë dalë prerë kundër hyrjes në zgjedhjet e 25 prillit përmes listës së përbashkët me LSI, pasi ata e konsiderojnë këtë parti një parti interesash dhe që nuk i kanë besën. Madje, sikundër theksuan të njëjtët burime demokratët kanë frikë se pas zgjedhjeve dhe duke parë rezultatin, LSI mund t’iu bëjë puç, duke i tradhtuar sikundër ndodhi në vitin 2013, ku shkoi dhe bashkoi votat për të qeverisur me ata që i dhanë më shumë portofole ministrore dhe drejtorish.