Basha injoron keq Berishën, refuzoi apelin e tij dhe shton akuzat

Ftohen raportet mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Ish-kryeministri të hënën kritikoi Bashën në një intervistë televizive, pasi e cilësoi të gabuar largimin e Topallit nga listat e 2017. Po ashtu çoi mesazhe se ajo duhet të rikthehet në PD, por me sa duket kryedemokrati nuk pajtohet me këtë ide. I pyetur për partinë që pritet të prezantojë sot Jozefina Topalli, ai e cilësoi si parti të krijuar nga Edi Rama dhe nuk do bëjë kurrë koalicion me të.

“Nuk ka asnjë parti të dalë nga Partia Demokratike, ka vetëm parti të krijuara nga Edi Rama. Por prapë është i pashpresë, madje kjo tregon se sa i pashpresë është”, u shpreh Basha dje gjatë një takimi me gazetarët. Kësaj ideje Basha i ka qëndruar prej kohësh, duke thënë se ish-nënkryetarja e PD po punon për të mbajtur Edi Ramën në pushtet. Sipas Bashës ata të cilët nuk luftojnë kundër Ramës po bëhen palë për të mbrojtur këtë qeveri krimi. Si për t’u qëndruar këtyre akuzave dhe për të ironizuar propozimin e Berishës.

Reforma zgjedhore.

Basha ka komentuar dje apelin e dytë të Komisionerit të BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, duke e cilësuar Edi Ramën si armik të popullit. Sipas kryedemokratit, Rama dhe mbështetësit e tij po e mbajnë Shqipërinë larg integrimit europian, pasi për të disatën herë Europa kërkon të mos kalohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor se nuk do të hapen negociatat, nuk do na pranojnë në tavolinë. Por Rama po i del kundër këtij ultimatumi madje kundër interesave kombëtare dhe po përpiqet të mbajë poshtë vetes partitë e reja.

“Armik i populli shqiptar. Europa i thotë mos e kalo se nuk të hap negociatat, nuk të pranoj në tavolinë, kur do të shkelësh standardet e zgjedhjeve. Por tmerri e ka shtyrë që të dalë kundër interesit kombëtar. Prej tmerrit që ka po sakrifikon edhe njëherë interesin e shqiptarëve. Nuk është hera e parë. Këtë ka bërë. Kur ishim gati për NATO, bënte demonstrata. Kur do hiqnim vizat, shkruante letra në Kuvend. Tani që kushti i vetëm është zgjedhje të lira e të ndershme për të hapur konferencën e parë ndërqeveritare, po u mbyll shqiptarëve derën e Europës. Njësoj si me pandeminë dhe me integrimin europian”, tha Basha.

Akuzat ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndër të tjera Basha deklaroi se qeveria kriminale e Edi Ramës ka futur në kolaps shëndetësinë. Sipas tij përfaqësuesit e kësaj ministrie si vartës të Ramës luajnë propagandën e tij dhe fshehin gjendjen reale të shkaktuar nga pandemia. Këtu Basha mori si shembull spitalin e Matit, që sipas tij është mbyllur për shkak se është infektuar i gjithë stafi dhe ministria vazhdon ta fshehë.

“Ekipi i shëndetësisë pranë PD kanë marrë një numër shumë të madh raportimesh nga familjarë me simptoma COVID dhe u refuzohet tamponi. Numri i të infektuarve që raportohet është shumë më i ulët se numri real i tyre. Numri i fataliteteve, po ashtu më i lartë. Edhe transparenca për COVID është kthyer në funksion të propagandës. Vetëm në spitalin e Matit janë mbyllur disa pavijone për shkak të përhapjes së infeksionit. Situatë e ngjashme raportohet në spitalet rajonale, në spitalet kryesore të Tiranës është kthyer në një problem kronik”, tha ai. Basha e ka thelluar këtë problematikë duke thënë se MSH po bën pazare ilaçesh me deputetët e Ramës.

Sakaq kreu i PD, akuzoi deputetin e mazhorancës, Tom Doshin se është kryemafiozi i ilaçeve në Shqipëri. Basha tha se, politika shëndetësore e qeverisë aktuale rrotullohet e gjitha drejt tij. Këtu ai siguroi që me ardhjen në pushtet paketa antikorrupsion do skanojë të parën këtë ministri. “Pse nuk e dini ju kush është në krye të mafies së ilaçeve? Tom Doshi është kryemafia e ilaçeve. E gjithë politika shëndetësore vërtitet drejt tij. Strumbullari është Tom Doshi. Nuk është i vetëm. Ka dhe një duzinë të tjerë, por atyre nuk ua di emrat. E sigurt që me planin Ministria e Shëndetësisë do jetë një ndër shënjestrat e para nga antikorrupsioni me themel. Qeveria më e babëzitur që i zhvati paratë e shqiptarëve në kohë pandemie dhe dënoi me vdekje deri më sot shqiptarë për shkak të korrupsionit e babëzisë ”, tha Basha.