Basha flet si kryeministër: Ky do jetë ligji i parë që do mitatoj unë

Kryedemokrati, Lulzim Basha, vijon me akuzat e tij kundër qeverisë se po vjedh qytetarët dhe pasuron mbështetësit e tij, ndërsa thekson se PD do t’i dënojë së shpejti. Ditën e djeshme përmes një konference për mediat Basha i është rikthyer paketës së tij për krijimin e një ligji Antimafia, ku e prezantoi sërish ditën e djeshme, me pika po njësoj si para dy vitesh ku pretendonte se kur të vinte në pushtet do të ndiqte paratë që vidheshin nga koncesionet dhe PPP-të. Këtë herë duke folur nën bindje si kryeministër i ardhshëm, Basha tha se pikërisht këto ndryshime në këtë ligj do të jetë vendimi i parë që do të marrë Parlamenti i qeverisë së re dhe se çdo para e vjedhur do t’u kthehet qytetarëve. Madje sipas tij sapo të bëhet kryeministër do kërkojë që të futen në hetim miq dhe të afërm deputetësh. “Ligji antimafia i miratuar nga Parlamenti i ri legjitim do të jetë vendimi i parë i qeverisë së re dhe do të zbatohet. Ky ligj do të bazohet në një bazë logjike dhe ligjore: Çdo koncesion, çdo PPP kalon përmes një kontrate mes privatit e publikut. Çdo gjë e marrë në mënyrë abuzive do t’i kthehet publikut me efekt prapaveprues. Këto masa të parashikuara me ligjin tonë Antimafia të përditësuar, fokusohen te pasurua e zyrtarëve publikë që kanë abuzuar, pronarëve të kompanive private dhe të afërmve të tyre. Sikur njëra nga këto të vërtetohet çdo qindarkë do ju kthehet shqiptarëve me ligjin Antimafia. Kompani që licencohen pak para tenderit, kompani pa përvojë, kompani offshore, tendera ndaj njerëzve të paautorizuar, skualifikime të padrejta për qëllime klienteliste, kompani që i plotësojnë kriteret po i skualifikojnë. Këto janë disa nga format e abuzimit që janë lidhur këto kontrata por çdo qindarkë do u kthehet qytetarëve”, u shpreh ai. Sakaq kryedemokrati tregoi se të dyshuarit do të kalojnë në tre posta hetimi, pasi zbatimi i masave do bëhet përmes tre hallkave: Qeveria është e para do ketë detyrën e verifikimit, pastaj do i kalojë SPAK e vendimin e jep GJKKO. Ndërsa barra e provës bie te kompania private apo zyrtari që ka krijuar kontratën. Ndërsa theksoi se hetimi i parë do të jetë për inceneratorët.

Premtimi i kryedemokratit

I pyetur në lidhje me ish-anëtarë të PD-së që sot po e bëjnë luftën jashtë selisë blu, duke ndërtuar parti ose lëvizje të reja, Basha tha se kushdo që kërkon ndryshimin tek PD-ja gjen një aleat të besueshëm, ndërsa ata që mendojnë ndryshe janë në shërbim të qeverisë. Sakaq ai u premtoi qytetarëve se PD nuk do t’i zhgënjejë me prurjet e reja, pasi do të jenë njerëz që do mbështesin popullin në këtë kohë krize që ndodhemi sot. “Të gjithë ata që ndajnë bashkë me ne dëshirën dhe vullnetin për ndryshimin që kërkon Shqipëria janë pjesë e një përpjekjeje. Ata që kanë vendosur që të bëhen patericë e një kryeministri të dështuar, që ka shkelur çdo premtim ata mendoj se e kanë të lidhur fatin me të. Kushdo që do ndryshimin e ka të hapur rrugën e opozitarizmit. PD nuk ka për t’i zhgënjyer shqiptarët pasi do të sjellë njerëz me një qasje të re ndaj politikës sidomos në këtë kohë krize. Është e pandalshme energjia jonë, pozitiviteti ynë. Përgjigjet që kemi ndaj krizës janë vetëm një pjesë e vogël e lëvizjes madhore për ndryshim. Ndryshimi është i pandalshëm. Kushdo që ka dëshirën që ka vullnetin e sinqertë dhe do ndryshim ka te PD një aleat të besueshëm”, tha Basha. Ndër të tjera ai tregoi për mediat se e sheh si bashkëpunim serioz koalicionin me opozitën e bashkuar, prandaj edhe sot kanë arritur të formojnë koalicionin më të madh në vend në 30 vitet e fundit. “Opozitën e bashkuar e kam marrë seriozisht. Prandaj kemi sot koalicionin më të madh në 30 vite. Që nga propozimet e anëtarësisë, tek Komisioni do jetë transparent, sot në opozitë, nesër në qeverisje. PD s’do i zhgënjejë shqiptarët. Kushdo duhet të plotësojë kushtet e integritetit moral, ndarjes së vlerave mbi të cilat PD vepron si anëtare e PPE, lirisë së fjalës, vlerave, tregut, taksave të ulëta”, deklaroi Basha.