Bardhi paralajmëron goditje të forta për PS-në

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka bërë një deklaratë të fortë në momentin kur u shpreh se Partia Demokratike brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes do të përgatisë dosjet me shkeljet e mazhorancës dhe do t’i dërgojë ata në organet e drejtësisë.

“Unë kam deklaruar dhe dua ta deklaroj edhe këtu ne kemi një përgjegjësi pas 25 prillit, që në momentin që ulemi në karriget e pushtetit ekzekutiv do duhet që brenda 6 muajve të parë të përgatisim dosjet dhe çojmë kallëzime penale në organet e drejtësisë, nëse këtë nuk e bëjmë brenda 6 muajve do të thotë se ne jemi ulur në karrige për të vjedhur vetë. Patjetër, siç ka dosje edhe tani. Këtë nuk e them për deklaratë publike. Sot fjala vjen ka shkuar procesi në gjykatë nga SPAK një prej dosjeve të denoncuar nga PD, që kishte të bënte në tenderin e ushqimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. SPAK dënon peshqit e vegjël dhe përjashton nga përgjegjësia ministren, ndërkohë ministrja ka dhënë autorizimin”, shtoi Bardhi në Euro News Albania.