Avokati i njohur: Ofrojnë 1 milion e gjysmë kush pranon që i afërmi humbi jetën nga koronavirusi

Pas fortunës që shkaktoi ambjentalisti Sazan Guri, një pretendim i ngjashëm vjen lidhur me shifrat gjithnjë e më alarmante të COVID-19, në vendin tonë.

Avokati Zaci Islami ka hedhur akuza të forta për sëmundjen e koronavirusit duke thënë se është një teori konspirative e nxitur nga iluminati dhe masonët që kanë qëllim të marrin në dorë pushtetin.

“Nëse do humb jetën një ditë, nuk do të thotë se do e kem nga koronavirusi. Më vjen mesazhi në telefon dhe më thotë vëllait tim i ndërroi jetë e vjehrra, i kërkuan te spitali QSUT 1 milionë e gjysmë lekë që ta deklaronin me Covid. Mori 1 milionë e gjysmë lekë, u deklarua me Covid”, bëri ai deklaratën e befasishme.

Avokati ishte i ftuar në studion e “Fax News”, ku tha se po ndodh një skandal në vendin tonë, pasi pretendoi se njerëzve të afëmr iu ofrojnë para, për të deklaruar dikë që humb jetën nga sëmundje të tjera, si viktima të koronavirusit.

“Nuk është Covid, është terror që po përhapet. Është e qëllimshme për t’i dorëzuar pushtetin iluminatin dhe masonët me teori konspiracioni. Ata e nisën me marrjen e mjekësisë, drejtësisë derisa na sollën martesat burrë me burrë”, – tha Islami.

Ai shtoi se nuk ka për të blerë asnjëherë maska që të mbrohet ndërsa zbulon sekretin se virusi do të marrë fund në nëntor. Këtë e lidh me zgjedhjet në Amerikë, pa dhënë detaje të tjera.

“Si mbylli dasmat e fejesat për koronavirusin? Është diktaturë e vendosur nga iluminati dhe Rama që do ta gjejë vendin deri në nëntor. Nuk e them përse deri në Nëntor se është sekret shoqëror që e dinë të gjithë. Nuk dua ti bëj qejfin Piperos. Kemi zgjedhje në Amerikë.

Përveç nesh që luftojmë kundër kësaj diktature, kemi një Zot që nuk do t’i lërë të bëjnë çfarë duan ata (Kina dhe Iluminati)”, tha Islami, që me pretendimet e tij ngriti dyshime të mëdha mbi shifrat e deklaruara.