Astrit Patozi befason me deklaratën: Lulzim Basha dhe Sali Berisha më kanë hequr sot një siklet të madh

Më 13 qershor në Partinë Demokratike ka zgjedhje për kryetarin e ri të kësaj force politike Vendimi është marrë pak minuta më parë në mbledhjen e Kryesisë së partisë.

Astrit Patozi ka falënderuar Lulzim Bashën dhe Sali Berishën.

Ai shprehet se i kanë hequr një siklet të madh.

“NJË FALENDERIM PËR LULIN DHE DOKTORIN

Për ata që nuk e dinë apo nuk e mbajnë mend, 22 korriku është ditëlindja ime dhe kam qenë unë, që e kam propozuar të jetë dita e zgjedhjeve për kryetarin e PD në vitin 2013. Asokohe mbaj mend bezdinë e Sali Berishës me kokën ulur në mbledhjen e kryesisë, por edhe ia njoh “meritën”, që nuk e kundërshtoi, sepse të tilla ishin rrethanat.

Ndërsa sot i falenderoj të dy njëkohësisht, Lulzim Bashën dhe doktorin, për vendimin e tyre të fundit që zgjedhjet për kryetarin e PD do të zhvillohen më 13 qershor.

Të paktën më kanë hequr një siklet të madh. Sepse më ishte krijuar bindja se deri sa të vdisja, do të duroja që një herë në katër vjet, dhe çdo 22 korrik, të merrja njoftimin e rizgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar të Partisë Demokratike (pas humbjes).

Të paktën, 22 korriku nuk do të jetë më datë historike, dhe kjo nuk është arritje e vogël. Sa për ata që do të ndjekin dhe do të mbështesin procesin e 13 qershorit, nuk kam asnjë koment. Mes tyre dhe Lulit me doktorin, do të zgjidhja gjithmonë këta të dytët. Por unë e kam marrë tashmë vendimin, nuk zgjedh asnjërin prej tyre”, shkruan Astrit Patozi.