As PD dhe as LSI, Kryemadhi tregon kush është frika më e madhe e Edi Ramës

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinjtë në Elbasan iu kundërpërgjigj kryeministrit Edi Rama teksa ky i fundit i përmendi emrin nga foltorja e Kuvendit. Nga Elbasani, Kryemadhi pohoi se frika më e madhe e Edi Ramës janë të rinjtë dhe jo ajo apo lideri i PD-së Lulzim Basha.

“Kur po fliste Sindi, mu mbushën sytë me lot. E kuptova emocionin e saj. Ky qytet ka sharmin dhe zgjuarsinë. Herë pas here dhe bëjmë indiferentë me qytetarët këtu. Indiferenca jonë, e imja, e politikanëve, ka sjellë që të tallen me Elbasanin. por nuk mund të bësh shaka me të ardhmen e të rinjve. Kur po vija rrugës dëgjova kryeministrin e famshëm; Mona, Luli, Luli, Mona. Ai nuk e ka frikën me ne, por e ka frikën nga ju.

Ai ka frikë nga bizneset e Elbasanit, nga ato gratë naftëtarë në Ballsh, që iu ka vjedhur pagën e 20 muajve dhe po iu vjedh çdo minutë. Ai ka frikë dhe nga një grua që qesh në rrugë dhe e arreston. Sidomos ka frikë nga ju. Ju jeni makthi i tij. Vota në 25 prill do jetë një votë që do e dërrmojë atë, jo për Edi Ramën, pasi ai është një mizë që shkelet me këmbë. Për fenomenin Edi Rama që merr peng të ardhmen e shqiptarëve, të të rinjve shqiptarë. Sot do të bëjmë disa anëtarësime.”, tha Kryemadhi.