Artan Fuga tregon se çfarë po ndodh me koronavirusin

Akademiku Artan Fuga shprehet se në këtë kohë koronavirusi, mediat e përkeqësuan përjetimin mbi pasojat e infektimit me Covid19. Ai shkruan se politika po përfiton nga kjo situatë për të fshehur skandalet dhe korrupsionin. Sipas tij vaksina mund ta parandalojë covid-19, “por çfarë do bëjë me korrupsionin, me abstenimin politik, me qetësinë tonë psikologjike të traumatizuar, me mitologjinë që ka zëvendësuar informacionin.”

“Favira ose Fakira?

Sikurse në të gjithë botën, në Shqipëri, epidemia e Covid19 ka tronditur ritmin normal të jetës të individit, si edhe gjendjen psikologjike të tij. Por, sikurse është thënë një epidemi më parë është një dukuri sociale dhe pastaj një problem i shëndetit publik.
Mediat e përkeqësuan përjetimin mbi pasojat e infektimit me Covid19.

Virusi i padukshëm u vizualizua estetikisht, si një karamele, me ngjyrë bojqielli që shkon drejt mavisë, paraqitet si një margaritar i bukur, me thepat e veta si një koral i fundit të oqeaneve. Kontrasti i bukurisë vizuale me rrezikun që ai përbën për shëndetin e njeriut i ka dhënë një përmasë mistike që njëkohësisht afekton syrin por edhe prodhon tmerr. Tmerr i bukur, bukuri e tmerrshme. Një koktej nga ato që vetëm perënditë pagane e kanë. Cfarë nuk u prodhon imagjinata!

Mediat janë në kërkim të klikimeve. Lajmi tronditës ka më shumë audiencë sesa ai që qetëson njeriun. Kështu që epidemia bëri që shoqëria e informacionit, sikurse thuhet për shoqëritë e sotme, të rrëshqasi në një shoqëri të folklorit, të mitologjisë, delirit, të të “vërtetave” të paverifikuara. Kushdo flet përtej kompetencave që mendohet se ka në fushën e tij të ngushtë të specialitetit.

Kriza psikologjike ishte e treta që shoqëroi atë në planin e shëndetit publik. U trondit rëndë marrëdhënia më e pamediatizuar në botë, ajo midis shpirtit dhe trupit te individi. Askush nuk është më i zoti ta ndjejë trupin e vet pa ndërhyrjen e të tjerëve. Media dhe folklori i rrjeteve sociale e ka bërë të vetën.

Do kesh lodhje, dhimbje koke, humbje nuhatjeje, ndofta të vjella, të gjitha simptoma që janë kthyer në normalitet për ata që tamponi i nxjerr pozitivë! Nuk i ndjen? Shih se moske vd ekur!

Bëj shaka mos i kesh, të shpallin simulant!

Kriza përfshiu edhe epideminë politike.

E katërta krizë e rëndë. Zgjedhjet e prillit po afrohen, por politika ka gjetur te Covid19 legjitimitetin e saj. Sa mirë që erdhe Covid19! Me bukurinë tënde makabre, mistike, mizore, na krijove mundesinë për të luajtur politikisht. U harruan të gjitha hallet e tjera të shqiptarëve. Cfarë do të bluante mokrra e ligjërimit politik pa kokrrat e vizualizuara mistikisht të Covid19? Bezdi ardhja e fushatave elektorale! Duhet folur për gjithçka, pa folur për asgjë!

Kriza e pestë, ajo e ekonomisë që ishte tashmë në krizë stagnacioni. Por, kriza ishte. Tani kemi krizën e krizës. Një pako me Favira shpëtimtare, në kutinë e së cilës lexon “sabah” – tre kokrra, “aksham” – tre kokrra, kushtoi 300 euro, pastaj 250 euro, nga Kosova ta sjell “vëllai” edhe për 75 euro. Sabah – Aksham.

Gjej Favirën, këtë si emër gruaje filmash serialë turk. Krizat mbivendosen mbi njera tjetrën. Rikthim besimi te “turqinia” jonë, në kurriz të “oksidentalizimit”. Mos më flit edhe për krizë gjeopolitike tani!!!
Favira!
Fakira!

Krizat mbivendosen. Vaksina pritet si uji i ftohtë në zhegun e vapës. Virusin do ta stopojë, ndoshta, por çfarë do bëjë me korrupsionin, me abstenimin politik, me qetësinë tonë psikologjike të traumatizuar, me mitologjinë që ka zëvendësuar informacionin. Kush do të na gjejë një vaksinë për të mos qenë përjetësisht Fakira?”, shkruan Artan Fuga.