Arjan Çani zbulon se kush do i fitojë zgjedhjet dhe arsyen

Gazetari i njohur Arjan Çani ishte i ftuar në emisionin “PolitikOn” të Alfred Lelës mbrëmjen e 15 tetorit në RTV Ora.

I drejtëpërdrejtë si gjithmonë Arjan Çani iu përgjigj pyetjeve rreth personazheve kryesore politikë në vend. Parashikon që Basha do jetë kryeministër por jo në një ardhme të shpejtë. Thotë se “zgjedhjet inxhinierike” e pengojnë Bashën të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

“Jetojmë në xhungël – vijon Çani – ku edhe ndërkombëtarët bëhen me më të fortin. Megjithatë publikisht e pranon se do votojë kundër Ramës dhe tregon pse kryeministri refuzon dhe nuk do të pranonte një debat publik me Bashën dhe Metën.

PolitikOn: Çfarë ke kundër Erion Velisë?

Arjan Çani: Unë nuk kam asgjë kundër

PolitikOn: Pse e quan Vilajet Qyrku?

Arjan Çani: Ti po më pyet për histori të para 10 viteve. Unë kam memorie shumë të dobët dhe nuk mbaj mend asgjë rreth këtij personazhi. As nga e kaluara as nga kjo e sotmja. Nuk më thotë gjë ai. Aq shumë s’më thotë sa nuk jam fare i vëmendshëm ndaj gjërave që ai bën.

PolitikOn: Kush ka qenë personazhi më intersant në emision?

Arjan Çani: Në 18 vite emision personazhi më interesant është Sali Berisha. Është i ditur, di të dëgjojë, të të respektojë. Berisha është një nga klientët më interesantë dhe më të bukur të emisionit. Nuk e them politikisht por realisht më intrigon. Ka një staturë që nuk e gjen në asnjë personazh tjetër.

PolitikOn: Ku ndryshon nga zoti Basha?

Arjan Çani: Është tjetër gjë. Si nata me ditën.

PolitikOn: Çfarë është Basha?

Arjan Çani: Basha është kryeministër i ardhshmë. Nuk e di se kur por ai do të jetë sepse i ka cilësitë për të qenë i tillë. Është një njeri që nuk i beson dot kollaj dhe për këtë do të bëhet kryeministër. Kur ai të thotë diçka ti nuk e beson dhe këtë e ka favor.

PolitikOn: Edi Rama?

Arjan Çani: Është njeriu që njoh më shumë se të gjithë. Vonë e kam kuptuar që është një bullist i niveleve të larta.

Alfred Lela: Bullist është dikush që të nxin jetën, të përndjek, të thotë më të zezat, të cënon në pikat më të dobëta e bën fizikisht dhe shpirtërisht. Këtë doni të thoni për Edi Ramën?

Arjan Çani: Jo me mua, çuditërisht por me të gjithë dynjanë, me vartësit, gazetarët që nuk i njeh dhe do ti poshtërojë. Por duke qenë i tillë është dhe i talentuar

PolitikOn: Po pse është kaq i sukseshëm duke qenë bullist profesionist?

Arjan Çani: Sepse është mjeshtër i kukllave. Master of papet. Është trim dhe frikacak, është dhe naiv dhe i djallëzuar. Është dhe i gjatë por dhe di të bëhet dhe i shkurtër. Është dhe orator por di të bëhet dhe batutaxhi. I ka të gjitha.

Ka vetëm diçka që i mungon por që ndoshta nuk i hynë në punë. Është që qeveris gabim. Ky është gabimi më i madh por njerëzit mesaduket nuk e kanë këtë kriter kur votojnë.

PolitikOn: Çfarë kriteri kanë njerëzit kur votojnë?

Arjan Çani: Shumica e njerëzve këtu pëlqejnë shoën dhe batuta dhe kjo është fatkeqësi e madhe

PolitikOn: A do ja sigurojnë një mandat të tretë Ramës?

Arjan Çani: Edhe. Jo vetëm ato (zgjedhjet 25 prillit) . Ato (Batutat) e ndihmojnë. Unë them që ai po luan një mandat katërt.

PolitikOn: Prandaj e thatë që Basha do bëhet kryeministër por pas shumë kohësh?

Arjan Çani: Jam i bindur që Basha do të bëhet por jo për faj të tij por për shkak të inxhinierisë së votave që Rama ka ditur të prodhojë.

PolitikOn: A do ta presë PD Bashën dhe dy mandate të tjera?

Arjan Çani: Nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm nëse del ndonjë gjeni që unë deri tani nuk e shoh. Sikur të bëheshin zgjedhjet e ndershme në Shqipëri e sigurtë që Basha do të fitonte por këtu nuk bëhen zgjedhje të lira. Këtu bëhen zgjedhje inxhinierike. Ka një deformim, cënim, shumë të bukur të rafinuar, që herë pas here lë dhe gjurmë si në zgjedhjet e kaluara.

PolitikOn: Pse sherri është zhvendosur në trajektoren Rama- Meta. A është Meta i treti i pashmangshëm?

Arjan Çani: Meta është i pashmangshëm. Nuk arrij ta kuptoj pse ka nisur kaq herët ky konflikt. Me siguri do të ketë arsye më të thella se ato që dëgjojmë dhe që do të bëhen publike në javët apo muajt e ardhshëm.

PolitikOn: A i ngjan 2017?

Arjan Çani: Po, por atëherë Basha i binte Metës, tani nuk e di a do të shkojmë prapë në atë histori. Janë të hapura letrat. Mendoj se të gjitha rastet, Rama është më i fortë.

PolitikOn: A do ta moderoje ti një debat Rama- Basha

Arjan Çani: Jo! Ias kam lënë Fevziut këto gjëra. E para përtoj.

PolitikOn: Nëse do t’ju zgjedhim ju?

Arjan Çani: Nëse do më zgjidhni patjetër por që ti futem vetë që të punoj për këtë punë jo jo . Më mjafton teatri si monolog të ishte dhe dialog…

PolitikOn: Basha e Meta kanë hedhur dorashkën e sfidës për debat por Rama i shmanget Pse?

Arjan Çani: Me aq sa e njoh Ramën si karakter politik e profil, mendoj se Rama thellë thellë jo vetëm që nuk do debat por nuk do të donte as opozitë. Fare. Rama i ka tmerr. Përton shumë të merret me kundërshtarin. Edhe kur e bën e bën i detyruar se mendon se do të fitojë pikë. Në këtë rast ai është në pushtet dhe veçse humb në debat, ndërsa Meta e Basha nuk kanë çfarë të humbasin. Është strategji interesante kjo e zgjedhur nga Meta dhe Basha. Këto Rama i ka në disfavor. Në disfavor jo në zgjedhje se ato janë inxhinierike por në debatet që bëjnë në studio.

PolitikOn: Çfarë ndodh më 26 prill?

Arjan Çani: Vazhdon jeta normalisht

PolitikOn: Le përshtypjen që Rama do të jetë fituesi?

Arjan Çani: Fatkeqësisht po. Unë do të votoj kundër tij e kam thënë publikisht. Në historinë moderne të këtij vendi nuk ka rëndësi fare kush është i ndershëm dhe i mirë, e rëndësishme është kush është i fortë.
Përderisa amerikanët thanë se “5 qershori” nuk është prishur ishte sinjal për ti thënë të gjatit “Jepi, ne ta dhamë viston” Vetëm budallenjtë nuk e shikojnë vetëm qorrat.

PolitikOn: Amerikanët janë duke ndihmuar Ramën thua ti?

Arjan Çani: Indirekt po. Edhe Kim dhe Soreka e thanë që “5 qershori” nuk është prishur nga ky kodi i ri zgjedhor. Pse e thanë? Mund të rrinin indiferentë por i shkelën syrin dhe i thanë vazhdo. Duhet tia themi njerëzve disa të vërteta të thjeshtë: Këtu pritet shumë nga të huajt por harrojnë që të huajt në fakt bëjnë gjithmonë me më të fortin dhe jo demokratin. Kur shohin kush është më i fortë ata e respektojnë.

PolitikOn: A do të mundet që populli të kuptojë?

Arjan Çani: Po ndodhi është diskutim tjetër. Por deri tani nuk shoh gjë.

PolitikOn: A janë qëndrimet e të huajve ‘gishti i Boschardit”

Arjan Çani: Unë uroj të gaboj por sigurisht. Ata e dinë më mirë se të gjithë se këtu jemi në xhungël dhe në xhungël do të fitojë më i forti. Këtu shumica e njerëzve mendojnë se do na ndihmojnë të tjerët. Kush të tjerët?!

PolitikOn: A nuk po i fut njerëzit në errësirë?

Arjan Çani: Mendoj se po hedh pak dritë në errësirë. Duke thënë një anë tjetër të medaljes mendoj se bëj mirë.