Angela Merkel del me mesazhin e fuqishëm: Kjo gjë është shumë e rëndësishme, do të japë rezultate

Në samitin e Sofjes, që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit, e që u bashkëkryesua nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se ky pajtim u arrit “për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon, duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian, për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian”.

Ndërkohë kancelarja gjermane, Angela Merkel, që mori pjesë në konferencën për media në mënyrë virtuale, i përgëzoi liderët e Ballkanit Perëndimor për ndërmarrjen e këtyre zotimeve, pasi, sipas saj, procesi i Berlinit ka qëllim tejkalimin e tensioneve dhe trashëgimisë së të kaluarës.

“Është më rëndësi dakordimi për krijimin e një tregu të përbashkët, veçmas në këto kohë të vështira, duke marrë parasysh se shume vende janë nën presion. Ky është mesazh inkurajues edhe për ekonomitë tona dhe kjo do të japë rezultatet e veta”, vlerësoi Merkel.

Ajo shprehu kënaqësinë që përmes projekteve të realizuara deri më tash, mijëra të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur mundësi të shkëmbimit të përvojave dhe takimeve të drejtpërdrejta.