Analisti i njohur zbulon faktet pse kancelarja Merkel u tërhoq një hap pas për integrimin e Shqipërisë

Një ditë më parë, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u shpreh se nuk jep dot garanci për uljen në tryezën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë, madje nuk i qëndron as idesë së dikurshme se ne jemi në një rrugë me Maqedoninë e Veriut.

Ky qëndrim sipas analistit Afrim Krasniqi, është tejet negativ për Shqipërinë në këtë moment.

“Mua më duket si historia e Krishtlindjes, fëmijët presin dhurata dhe shkruajnë letra, duke shpresuar që dhuratat do të vijnë falas. Të njëjtën gjë po bën edhe Shqipëria. Në 6 muajt e fundit nuk ka asnjë reformë për të ecur përpara, kriza politike vazhdon, Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, Gjykata e Lartë ka probleme, asnjë zyrtar i lartë nuk është përballur me drejtësinë, kemi një konflikt të ri në lidhje me reformën zgjedhore. Si është e mundur që një vend që prodhon kaq shumë kriza brenda pak muajsh, të pretendojë pastaj që vendet e BE do të mbyllin sytë? Ajo që tha Merkel është një keqardhje, pasi Gjermania ka qenë avokati kryesor i Shqipërisë. Ky është zhvillimi më negativ. Në mënyrën se si po shkojnë gjërat, kushtet ngelen të njëjtat dhe aftësia jonë për t’i zgjidhur, sidomos vitin e ardhshëm kur janë zgjedhjet, është minimale”-u shpreh analisti Krasniqi.