Aleati i Lulzim Bashës propozon datën se kur dëshiron të bëhen zgjedhjet e ardhshme

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka bërë me dije se do të takohet nesër në orën 10:30 me presidentin Ilir Meta për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve parlamentare. Shehi është shprehur se dëshiron që zgjedhjet të bëhen sa më parë dhe ka propozuar datën 18 ose 25 prill për zhvillimin e tyre.

“Është një hap transparence dhe i rëndësishëm. Është hera e parë që ndodh kjo. Unë vetë jam i ftuar në orën 10:30. Do jenë takime të shkurtra. Unë do të doja që të bëheshin sa më parë zgjedhjet. Dita e parë sipas kushtetutës që është bërë i bie që të jetë e diela e dytë ose e tretë e prillit që i bie data 18 ose 25. Presidenti ka idetë e veta dhe punët e veta kushtetuese. Unë do pranoja datën më të afërt. Partitë më të mëdha janë pas nesh”, tha Shehi në OraNews.