Afrimi i zgjedhjeve, qeveria premton rritje pagash për mësuesit në vend, më të mirët do shpërblehen më shumë

Qeveria premton rritje të pagave për të gjithë mësuesit në vend. Afrimi i datës për zgjedhjet e ardhshme ka vënë në lëvizje qeverinë. Pasi premtimit për rritje pagash të mjekëve, ditën e djeshme kreu i qeverisë, Edi Rama, ka garantuar rritje rrogash edhe për mësuesit. Përmes një deklarate publike kryeministri tha se po bëjnë vlerësimet dhe rritja e pagave do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi kontributi i tyre e meriton. Kështu Rama bëri me dije se ky premtim do të mbahet, do jetë pjesë e buxhetit për vitin tjetër pavarësisht se situata e krijuar nga koronavirusi i ka kufizuar mundësitë për shpenzime. “Për të gjithë mësuesit, ne duam të bëjmë ashtu si dhe për mjekët, një rritje të re të pagave dhe besojmë që kjo do të bëhet shumë shpejt, me buxhetin e ri, besojmë se është më shumë se e merituar për të gjithë në tërësi. Ndërsa ju në veçanti meritoni më shumë se kaq dhe ne do të bëjmë çmos të bëjmë më shumë sesa për tërësinë. E di shumë mirë që, sidomos për mësuesit e kalibrit tuaj, kontributi që ju jepni përditë është më i madh sesa mbështetja që keni në të gjitha aspektet, por edhe ju duhet ta dini që unë dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe do të bëjmë çmos ta rrisim mbështetjen edhe pse kushtet nuk janë më optimalet për të menduar për këtë”, deklaroi ai. Sipas kryeministrit kjo rritje rroge nuk do të shpërblejë vetëm punën e tyre gjatë luftës me pandeminë, por edhe do të rrisë cilësinë e stafeve mësimore. Pasi rritja e pagave do bëhet në bazë të një skeme vlerësimi, ku më të mirët do përfitojnë bonus më të lartë, rrjedhimisht kështu do të rritet edhe kërkesa për mësues më të mirë dhe përmirësim profesional nga vetë ata. “Ne jemi duke menduar një sistem të vlerësimit të meritës së mësuesve, gjë që po e analizojmë dhe më shumë gjasë, nga sezoni i ardhshëm shkollor do të mund të jemi gati të themi se si do të funksionojë ky sistem, ku mësuesit më të mirë, mësuesit si ju do të duhet të vlerësohen edhe financiarisht ndryshe nga të tjerët në bazë kriteresh strikte dhe rezultatesh që janë të matshme. Kjo do të bëjë që nga një anë, mësuesit më të mirë të vlerësohen dhe ana tjetër, konkurrenca të motivohet më shumë dhe forca e shembullit të promovohet më shumë”, theksoi ai.

Reduktimi i ndërhyrjeve në sistemin rekrutues

Gjatë fjalë së tij kryeministri Rama u ndal edhe tek punësimi i mësuesve. Ndërsa pranoi se mësuesit janë larguar nga puna apo transferuar përmes ndërhyrjeve apo korrupsionit, ai garantoi se kjo gjë nuk do të ndodhë më, pasi hapi i parë i qeverisë është largimi i politikës nga arsimi. “Ne po bëjmë një proces të rëndësishëm në implementimin e punës dhe programit të Shkollës së Drejtorëve, për të rritur nivelin e drejtimit nëpër shkolla, për të krijuar një tjetër profil dhe një tjetër qasje në aspektin e drejtimit të shkollës, që është diçka shumë komplekse sesa duket në pamje të parë, apo sesa jemi mësuar. Shkolla e Drejtorëve ka filluar të funksionojë, kanë filluar kualifikimet e para. Ne kemi shumë besim, tek ai proces që kemi arritur ta heqim mësuesin, të paktën, nga kthetrat e politikës së promovimit klientelist të mësuesve”, deklaroi ai. Për të garantuar se përzgjedhja e mësuesve do të bëhet në mënyrë të drejtë dhe larg duarve të politikës, ai tha se për këtë do të funksionojë vetëm portali për mësuesit, i cili funksionon më së miri dhe nuk lë hapësira për ryshfete. “Kemi garantuar që mësuesit nuk hiqen kështu siç fryn era. Nuk mund të merren dhe të hidhen nga një zonë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën, sipas erës politike, tarafeve apo ryshfeteve. Portali është tashmë i konsoliduar dhe na jep garanci të madhe që rekrutimi dhe promovimi i mësuesve bëhet mbi baza shumë objektive”, theksoi ai. Ndërsa për ndjekjen e mësimit ai tha që do vazhdojë të jetë në funksion RTSH shkolla, alternativë që është parë si produktive në dy aspekte; së pari do të integrojë nxënësit të bëjnë mësim edhe me mësues që nuk e njeh dhe së dyti do të eliminojë barrën e madhe që kanë shkollat në zonat e thella me klasat alternative të cilat rrisin rrezikun dhe shpërqendrojnë nxënësit.