A minohet rezultati i PD nga ikja e Hajdarit, Patozit dhe e disa figurave të tjera? Basha jep përgjigjen e papritur

Kryedemokrati Lulzim Basha ftoi publikisht të gjitha forcat politike që t’i bashkohen frymës së opozitës për ndryshim. Teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me disa zëra të PD që tashmë janë larg saj dhe kanë krijuar partitë e tyre, Basha i quajti ‘paterica’ të qeverisë Rama.

“Të gjithë ata që ndajnë bashkë me ne dëshirën dhe vullnetin për ndryshimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, janë e njëjta përpjekje. Ata që kanë vendosur të jenë patericë e një qeveri të dështuar, të Ramës, që ka shkelur çdo premtim dhe ka shkatërruar shqiptarët, ata e kanë të lidhur fatin me të.

Kushdo që është për ndryshimin, si shumica dërrmuese e ka të hapur rrugën e opozitarizmit, në të gjitha mënyrat, ku si forca më e madhe PD do të ketë përgjegjësi dhe rezultatin për t’ju përgjigjur sfidës së madhe të shqiptarëve. Është e pandalshme energjia jonë, pozitiviteti ynë. Janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që shoh përditë, nevojën ulëritëse për ndryshim. S’ka forcë minore që ta ndal këtë. Ndryshimi është i pandalshëm. Çdokush që ka dëshirë, është i mirëpritur.”, – tha Basha.