A i ngriti TV Klan kurth Edi Ramës në përballjen e tij në Opinion

Edi Rama nuk po lë gur pa lëvizur për të justifikuar përformancën e tij skandaloze, të enjten në mbrëmje në “Opinion”. Ai po përpiqet të justifikojë, me të gjitha mjetet, faktin se luajti rolin e një të marri në studion e Fevziut, faktin se nuk la njeri pa fyer nga gazetarët që kishte në studio, faktin se në kohë Covidi dhe maskash, lëshonte stërklat e dala nga goja e tij drejt e mbi bashkëbiseduesit, duke u marrë që nga aftësitë virologjike të Fatjona Mejdinit, deri tek syzet e Shkullakut dhe tek pronari i Rakipllarit.

Së fundi, në një postim në Facebook, ai e denoncoi atë debat që e quajti haluçinant, ndërsa njerëzve të tij të afërt i thotë se tek Fevziu atë e futën në kurth.

Këtë paranojë që u shkon për shtat tifozëve të Ramës e ka ushqyer me një koment edhe gazeta pro qeveritare Shqiptarja.com, e cila, e frymëzuar nga thashethemet që qarkullojnë në paradhonëm e kryeministrit, ka shkruar: “Pse Edi Rama këmbëngul të hidhet me këmbët e veta brenda kurthit të Fevziut dhe të Opinionit të tij dixhital, duke kontribuar ne shikueshmëri por duke u vetëgoditur politikisht? Kryeministrit nuk mund te qahet per vizibilitet mediatik. Atëherë ç’shije mazokiste e shtyn të hidhet në kurthin e drejtuesit televiziv më pak korrekt nga gjithë të tjeret, sepse shtiret si mik me telekamera të fikura, ndërsa në studio shndërrohet në një hijenë?

Pra është e qartë, ajo që Rama i tha në kafen pas emisionit drejtuesve të TV Klan, se ata i kishin ngritur një pritë, po mer format e një teze që duhet përhapur mediatikisht.

Dhe argumentat për një skenar të tillë nuk është se nuk kanë ku mbështeten. Kush do ta shohë gotën gjysëm plot nga ana e kryeministrit, nuk ka se përse të mos mendojë kështu.

Andi Bushati: Pse Rama e la kolltukun… në studion e Opinion Tema kruciale që u diskutua të enjten e shkuar në “Opinion”, ajo e skandalit të inceneratorëve, ka ditë që është bërë kryelajmi i edicioneve qëndrore të TV Klan.

Po ti shtohet kësaj edhe fakti se pronarët e koncesionarit të inceneratorëve janë treguar më bujarë me disa media konkurente, e bën më të besueshme tablonë sinoptike, se ekrani i TV Klanit qe në krahun e “komplotistëve”.

Këtë paranojë mund ta ushqejnë edhe më tepër insistimi i liderit të opozitës Basha, për të këmbëngulur pikërisht në këtë temë. Pse kryetari i PD-së zgjodhi tani, pas plot pesë vitesh, të fokusohej tërësisht tek koncesioni i inceneratorëve???

Njëra hipotezë është se dikush nga njerëzit e afërt të kryeministrit, që ka nëpër duar këto fakte, i pakënaqur me pazaret aktuale, ka dorëzuar në PD, dokumenta për skandalin e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, që i kanë dhënë një hov të ri opozitarizmit.

Por, ama, version tjetër, më i besueshëm, është se Basha ka vendosur ta vërë gishtin mbi këtë plagë, pikërisht se ai ka nuhatur një çarje midis interesave të ngushta të mediave të Ramës. Nëse njëra palë është e pakënaqur me shumat që koncesioni i jep kundërshtarëve të saj, heshtja mediatike, që deri më tani bënte bashkë të gjitha televizionet, mund të tejkalohej.

Pikërisht këtë kontradiktë mes përkrahësve të pushtetit mund të ketë shfrytëzuar opozita, për të zgjedhur kulmimin e vëmendjes tek koncesioni i inceneratorëve mes dhjetra skandaleve që janë po ashtu njësoj të rëndë.

Dhe fakti që “Opinioni” i Fevziut zgjodhi të rimari këtë temë, fakti se ajo qe në vazhdën e kronikave të njëpasnjëshme të lajmeve të Klan, që i japin si kurrë më parë hapsirë denoncimeve të Bashës për inceneratorët, i ka bërë njerëzit e ngushtë të rrethit të Ramës të flasin për një kurth, për një çark, për një pritë që iu ngrit kryeministrit të enjten.

Por, pavarësisht këtij debati që ka vlerë vetëm për një kastë të vogël brenda bulevardit të Tiranës, nga ajo që njerëzit panë me sytë e tyre në debatin e së enjtes, mbetet një gjë pa sqaruar.

Le ta marrin si të vërtetë për një çast, se TV Klani, që dihet që ndëron kurs kur ndëron pushteti, kishte vendosur ti ngrinte një kurth Ramës? Le të supozojmë se ky televizion po e bënte këtë nga mëria e prishjes së konkurencës financiare me Top Channel?

Le të imagjinojmë se edhe Fevziu, i futi Bashën dhe Berishën në emision për këtë qëllim. Pastaj të shkojmë më tej dhe të mendojmë se Fatjona Mejdinin e kishin rekrutuar qarqet anti- Soros, Rakipllarin e kishin kushtëzuar borxhet e pronarit dhe Shkullaku qe motivuar nga agjenturat pro ruse, që nuk duan integrimin në BE, për të prishur emisionin e Ramës.

Pra, le të absrtagojmë se kryeministrit i ishte ngritur të enjten një pritë dhe se këtë e pati organizuar TV Klan për interesat e tij financiare.

Sërisht edhe sikur këto të gjitha të qenë të vërteta, pyetja më automatike do të qe: Po a nuk sillej dot Rama përpara këtij “kurthi” si njeri normal?

Po, në vend që të lëshonte stërkla pështyme, a nuk shpjegonte dot ai se përse i kishte dhënë një personi të vetëm, pa para, pa eksperiencë dhe mbi të gjitha pa garë, të drejtën për të marë tre koncesione inceneratorësh?

Po, në vend që të bënte “boks” në studio, a nuk përgjigjej dot thjeshtë se si mund të paguhet me 75 milionë euro dikush që ende se ka kryer punën?

Po, kur gjente kohë të zihej me gazetarët, a nuk e kishte më të thjeshtë të dëshmonte se përse po shpenzohen deri në 400 milionë euro, për të djegur plehra në Shqipëri, apo për të këmbëngulur tek projekti i pa varrosur i importimit të mbetejeve nga jashtë?

Edi Rama nuk kishte asnjë përgjigje për këto pyetje. Prandaj ai, në Opinion-in e së enjtes preferoi sherrin, përpara sqarimit me durim të publikut.

Vetëm pasi e panë figurën që bëri, vetëm pasi kqyrën dështimin e strategjisë për të mposhtur me bullizëm të vërtetat e një vjedhjeje, njerëzit pranë tij, po mundohen ta amortizojnë paraqitjen katastrofale mediatike me idënë se shefit të tyre i ngritën një kurth në TV Klan.

Natyrisht, askush nuk mund të vërë dorën në zjarr se ekrani në fjalë, nuk ka interesa në konkurencën me Top Channel, në raport me koncesionin e inceneratorëve, po ashtu, askush nuk mund të thotë se atij nuk i konvergojnë qëllimet afatshkurtra me opozitën, ama një gjë është e sigurtë, Edi Rama le të provojë të dali në çdo studio, për koncesionin e inceneratorëve, ai asnjëherë nuk do të arrijë të japë përgjigje bindëse.