A do jetë e obligueshme maska në restorante kur hamë? Manastirliu tregon përgjigjen

Nga dita e enjte, në Shqipëri do të gjobitet cdo qytetar i cili jashtë ambietëve të shtëpisë, nuk ka vendosur maskë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur për mbajtjen e maskës me detyrim në çdo ambient përveç shtëpisë, vendim që do të hyjë në fuqi nga e enjtja.

Në rast se qytetarët do të konstatohen pa maska, do të marrin gjoba nga 2-5 mijë lekë që do të zbatohet në faturën e energjisë elektrike.

Në emisionin “Opinion”, Manastirliu u shpreh se i vetmi vend ku lejohet të heqësh maskën është kur bën aktivitet fizik.

“Kudo jashtë shtëpisë, me përjashtimin kur je duke bërë aktivitet fizik, por duhet ta kesh maskën gjithmonë me vete.

Maska duhet përdorur menjëherë nga moment që del nga shtëpia në të gjitha aktivitetet ku shkon”, tha Manastirliu.

Sa i përket kritikave të shumta që ka pasur për mbajtjen e maskës në bar apo restorant, Manastirliu thotë se do të zbatohet me përpikmëri protokolli ku qytetarët do e heqin vetëm në rast se duan të konsumojnë ushqim apo pije. Por në momentin që flasin, do të jenë të detyruar për mbajtjen e maskës.

“Edhe në bar e restorant do të mbahet maska derisa ha ose pi. Në momentin që flet apo ke interaktivitet duhet të vendosësh maskën. Duhet të mbash maskën nëse nuk ha apo pi. Edhe nëse jeni në makinë me të afërm, nuk do të mbahet maska”, tha Manastirliu. /albeu.com/